Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka ashpërsuar sërish retorikën ndaj Iranit, duke deklaruar se gjendja ekonomike e Teheranit është në një situatë të rëndë dhe se presioni ekonomik duhet të vazhdojë.
Në një intervistë për “Real America’s Voice”, Trump foli për strategjinë e administratës së tij ndaj Iranit dhe për bllokimin e negociatave lidhur me Ngushticën e Hormuzit.
Trump pretendoi se Irani po përballet me një inflacion prej 300 për qind, ndërsa monedha iraniane, sipas tij, ka humbur pothuajse të gjithë vlerën.
“Ata kanë inflacion 300%, nuk kanë asnjë vlerë. Monedha e tyre nuk vlen pothuajse asgjë. Ata nuk i paguajnë ushtarët e tyre. Ushtarët po largohen”, deklaroi Trump.
Presidenti amerikan tha se, për këtë arsye, Shtetet e Bashkuara duhet të vazhdojnë presionin ndaj Teheranit, duke e përshkruar situatën ekonomike dhe politike në Iran si “të paqëndrueshme”.
Trump: “Iranianët janë negociatorë shumë dinakë”
Trump foli edhe për negociatat me Iranin, duke i akuzuar për ndryshim të qëndrimeve pas arritjes së marrëveshjeve paraprake.
Sipas tij, përfaqësuesit iranianë fillimisht pranojnë disa kushte gjatë bisedimeve, por më pas i mohojnë ato publikisht.
“Iranianët janë negociatorë shumë dinakë sepse së pari bien dakord për diçka, pastaj shkojnë dhe i thonë shtypit se nuk e kanë bërë vetë”, tha Trump.
Presidenti amerikan shtoi se kjo sjellje e bën më të vështirë arritjen e një marrëveshjeje të qëndrueshme mes Washingtonit dhe Teheranit.
Deklaratat e Trump vijnë në një periudhë tensioni të lartë mes dy vendeve, ndërsa Ngushtica e Hormuzit mbetet një prej pikave më të rëndësishme strategjike për sigurinë energjetike dhe tregtinë globale.
