Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, dhe presidenti rus, Vladimir Putin, kanë zhvilluar një bisedë telefonike që zgjati mbi një orë e gjysmë, ku në fokus ishin tensionet në Lindjen e Mesme dhe lufta në Ukrainë.
Sipas njoftimit të Kremlini, biseda u karakterizua si miqësore dhe profesionale, ndërsa të dy liderët diskutuan zhvillimet e fundit në Iran dhe perspektivat për paqe në Ukrainë.
Në lidhje me situatën në Lindjen e Mesme, Putin paraqiti propozime lidhur me programin bërthamor të Iranit dhe shprehu mbështetjen për vendimin e Trump për të zgjatur armëpushimin. Megjithatë, ai paralajmëroi për pasoja “jashtëzakonisht shkatërruese” në rast të rikthimit të operacioneve ushtarake nga SHBA dhe Izraeli.
Sa i përket Ukrainës, Trump u shpreh optimist se një marrëveshje paqeje mund të jetë afër, ndërsa Putin propozoi një armëpushim të përkohshëm më 9 maj, në kuadër të Ditës së Fitores. Ideja u mbështet nga pala amerikane, duke rikthyer në vëmendje një armëpushim të ngjashëm të zbatuar gjatë Pashkëve.
Nga ana tjetër, presidenti rus akuzoi Kievin për përdorimin e metodave “terroriste” në sulmet ndaj objektivave civile dhe kritikoi qasjen e qeverisë së udhëhequr nga Volodymyr Zelensky, duke sugjeruar se ajo po zgjat konfliktin.
Në fund të bisedës, Putin dënoi gjithashtu atentatin e fundit ndaj Trump, duke shprehur solidaritet me homologun amerikan.
Biseda vjen në një moment kritik për zhvillimet globale, ku përpjekjet për armëpushim në Ukrainë dhe tensionet në Lindjen e Mesme mbeten në qendër të vëmendjes ndërkombëtare.

