Presidenti amerikan, Donald Trump, u ka deklaruar udhëheqësve evropianë se presidenti rus, Vladimir Putin, është i gatshëm t’i japë fund luftës në Ukrainë dhe se dëshiron arritjen e një marrëveshjeje paqeje. Deklaratat u bënë gjatë një bisede telefonike nga Air Force One, në kohën kur të dërguarit amerikanë Steve Witkoff dhe Jared Kushner po zhvillonin takime me liderët evropianë dhe presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, në Berlin.
Sipas raportimit të Axios, Trump u përfshi përmes telefonit në takimin e zhvilluar të enjten, pas kthimit nga Kina, ku kishte marrë pjesë në një samit trepalësh me presidentin kinez Xi Jinping dhe presidentin rus Vladimir Putin.
“Putini dëshiron t’i japë fund luftës, ai dëshiron që marrëveshja të arrihet. Ai po lodhet nga kjo”, citohet të ketë thënë Trump, sipas personave të pranishëm në takim.
Trump thotë se i kërkoi Putinit dhe Xi-së të ndihmojnë për paqen
Trump u takua me Putinin të enjten, në margjinat e samitit në Shenzhen. Takimi nuk ishte paraparë fillimisht në agjendë, por presidenti amerikan kërkoi të diskutonte drejtpërdrejt me homologun rus për përpjekjet diplomatike për përfundimin e luftës në Ukrainë.
Kur hyri në sallën ku po e priste Putini, Trump e përshëndeti me fjalët: “Kush është ai? Ai është miku im”.
Sipas një zyrtari evropian, pas takimit në Kinë, të dërguarit amerikanë u thanë liderëve në Berlin se Trump i kishte bërë presion Putinit që të vazhdonte negociatat dhe se i kishte kërkuar të shfrytëzonte momentin për arritjen e një marrëveshjeje.
Trump gjithashtu i kërkoi presidentit kinez Xi Jinping të ndihmonte në përfundimin e luftës.
“Ai u dërgoi një mesazh shumë të fortë të dyve, Putinit dhe Xi-së, për dëshirën e tij për paqe dhe do të donte t’i angazhonte të dy në mënyrë shumë aktive për ta arritur atë”, deklaroi Jared Kushner në një konferencë për media.
SHBA-ja kërkon që Evropa të jetë pjesë e negociatave
Pas takimeve në Kinë, të dërguarit amerikanë Steve Witkoff dhe Jared Kushner zhvilluan bisedime në Berlin me kancelarin gjerman Friedrich Merz, presidentin francez Emmanuel Macron, kryeministrin britanik Andy Burnham, presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky dhe udhëheqës të tjerë evropianë.
Një nga mesazhet kryesore të delegacionit amerikan ishte se Trump nuk synon të arrijë një marrëveshje me Putinin pa përfshirjen e Evropës.
“Presidenti Trump dëshiron të bëjë një marrëveshje me Evropën në krah të tij. Ai nuk po kërkon të imponojë asgjë në mënyrë të njëanshme”, deklaroi Kushner.
Gjatë bisedës telefonike me liderët, Trump i kërkoi kancelarit gjerman të angazhohej drejtpërdrejt me presidentin rus.
“Friedrich, mund t’i telefonosh Putinit dhe kjo do të çojë drejt një marrëveshjeje”, citohet të ketë thënë Trump.
Ai shtoi se Xi Jinping e respekton Zelenskyn dhe se presidenti ukrainas mund të arrijë një marrëveshje të favorshme.
Një zyrtar evropian i cilësoi bisedimet në Berlin si të rëndësishme për koordinimin mes SHBA-së dhe Evropës, duke i dalluar ato nga samiti në Shenzhen, të cilin e përshkroi kryesisht si simbolik.
Putini thotë se është i hapur për përfshirjen e Evropës
Një zhvillim i rëndësishëm ishte deklarata publike e Putinit se Rusia është e gatshme të shqyrtojë përfshirjen e vendeve evropiane në bisedimet e paqes me Ukrainën.
“Ne e kuptojmë se është e kotë të diskutojmë çështjet e sigurisë, përfshirë ato në Evropë, pa to”, deklaroi presidenti rus në konferencën për media pas takimit me Trumpin.
Megjithatë, Putini theksoi se Moska duhet të kuptojë se çfarë janë të gatshme të ofrojnë vendet evropiane në negociata.
Ai sinjalizoi gjithashtu mundësinë e paraqitjes së një propozimi të ri për marrëveshjen e sigurisë mes Rusisë dhe Evropës, duke argumentuar se realiteti gjeopolitik ka ndryshuar.
“Jeta ndryshon, prandaj nuk ka kuptim të kthehemi te realitetet gjeopolitike të viteve 1990”, tha Putini.
Raundi i ardhshëm i bisedimeve mund të mbahet javën e ardhshme
Pas takimit me udhëheqësit evropianë në Berlin, Kushner dhe Witkoff zhvilluan edhe disa orë të tjera bisedimesh me Zelenskyn dhe këshilltarët e sigurisë kombëtare nga Gjermania, Britania e Madhe, Franca, Italia dhe Polonia, si dhe me përfaqësues të lartë të Bashkimit Evropian dhe NATO-s.
Takimet synuan koordinimin e qëndrimeve përpara raundit të ardhshëm të bisedimeve me palën ruse, i cili mund të zhvillohet javën e ardhshme.
Megjithatë, sipas një zyrtari evropian, liderët mbeten skeptikë nëse Rusia do ta pranojë realisht përfshirjen e Evropës në negociatat për paqe.
Sipas Axios, një nga objektivat kryesore të administratës amerikane është që vendet evropiane të përfshihen drejtpërdrejt në negociatat mes Rusisë dhe Ukrainës, por edhe të nisin një dialog me Moskën për një marrëveshje më të gjerë të sigurisë në Evropë.
“Ne do t’u përcjellim rusëve atë që shohim: forcë, unitet dhe angazhim në Evropë, por gjithashtu edhe një dëshirë të vërtetë për paqe”, deklaroi Kushner.
Ai shtoi se administrata amerikane po punon për të krijuar kushtet që përpjekjet diplomatike të kenë mundësinë më të mirë për të çuar drejt një marrëveshjeje. Burimi:axios.

