Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, është shpallur fajtor dhe dënuar me një vit burgim me kusht nga Gjykata Themelore në Prishtinë, për përdorimin e gazit lotsjellës gjatë një seance plenare të Kuvendit të Kosovës në vitin 2018.
Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti i Përgjithshëm – Divizioni Penal, ka shpallur më 8 shtator 2026 aktgjykimin në çështjen penale ndaj Xhelal Sveçlës, për veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”, nga neni 375, paragrafi 2, në lidhje me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Sipas aktgjykimit, Sveçla është shpallur fajtor dhe është dënuar me një vit burgim me kusht. Ky dënim nuk do të ekzekutohet nëse ai nuk kryen vepër tjetër penale brenda një viti.
Sipas Gjykatës, Sveçla është shpallur fajtor për një ngjarje të ndodhur më 21 mars 2018, në periudhën nga ora 12:10 deri në 15:40, në sallën e seancave plenare të Kuvendit të Republikës së Kosovës në Prishtinë, gjatë një seance të jashtëzakonshme plenare.
Në aktgjykim thuhet se Xhelal Sveçla kishte përdorur bombolë me gaz lotsjellës, me përmbajtje të agjentit kimik CS, ndaj deputetëve dhe personave të tjerë të pranishëm në sallë. Sipas Gjykatës, ai e kishte aktivizuar bombolën në disa raste dhe e kishte hedhur brenda sallës plenare, pa paralajmërim paraprak dhe pa u dhënë personave të pranishëm mundësi për t’u larguar.
Si pasojë, gazi irritues ishte përhapur në hapësirën e mbyllur, duke bërë që personat e pranishëm të largoheshin nga salla dhe seanca plenare të ndërpritej.
Përveç dënimit me kusht, ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, është obliguar që, pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit, të paguajë 50 euro në emër të paushallit gjyqësor dhe 20 euro në emër të kompensimit të viktimave të krimit.
Pala e dëmtuar, për realizimin e kërkesës pasurore-juridike, është udhëzuar që të drejtohet në kontest të rregullt juridiko-civil.
Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës, brenda afatit prej 30 ditësh nga dita e pranimit të aktgjykimit.

