EU ka theksuar se Kosova ka nevojë për stabilitet institucional në mënyrë që të përfitojë plotësisht nga mundësitë e reja që ofron procesi i zgjerimit evropian.
Në një njoftim zyrtar, Zyra e BE-së në Kosovë bëri të ditur se ky vlerësim u dha pas takimit mes shefes në detyrë të zyrës së BE-së në Kosovë, Eva Palatova, dhe drejtoreshës për Zgjerim dhe Fqinjësi Lindore për Ballkanin Perëndimor, Valentina Superti.
Palatova e priti Superti në një takim paraprak, para agjendës së saj me përfaqësues institucionalë dhe të shoqërisë civile në Kosovë.
“Kosovës i duhet stabilitet institucional për të përfituar plotësisht nga momentumi i ri i zgjerimit të Bashkimit Evropian, Plani i Rritjes dhe IPA”, thuhet në njoftimin e BE-së.
Ky mesazh vjen në një periudhë kur vendi po përballet me sfida politike dhe institucionale, ndërsa Plani i Rritjes i BE-së dhe fondet e instrumentit IPA (Instrument for Pre-Accession Assistance) konsiderohen si mundësi kyçe për zhvillimin ekonomik dhe afrimin e Kosovës me familjen evropiane.

