Nënsekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara për Operacionet e Paqes, Jean-Pierre Lacroix, ka nisur një vizitë dyditore në Kosovë, si pjesë e një turneu rajonal në Ballkanin Perëndimor.
Vizita është konfirmuar nga Misioni i OKB-së në Kosovë, UNMIK, i cili ka bërë të ditur se gjatë qëndrimit në vend, Lacroix do të zhvillojë takime me përfaqësues të institucioneve të larta shtetërore, partnerë ndërkombëtarë dhe organizata të shoqërisë civile.
Gjithashtu, ai pritet të vizitojë projekte të ndryshme të mbështetura nga Kombet e Bashkuara, të cilat synojnë zhvillimin institucional dhe forcimin e stabilitetit në vend.
Sipas njoftimit, diskutimet do të përqendrohen në rolin e OKB-së në ruajtjen e paqes, forcimin e bashkëpunimit shumëpalësh dhe mbështetjen e vazhdueshme për stabilitetin në Kosovë dhe rajon.
Pas vizitës në Kosovë, zyrtari i lartë i OKB-së do të vazhdojë vizitat në Serbi dhe Bosnjë e Hercegovinë, ku pritet të trajtojë çështje të ngjashme që lidhen me sigurinë dhe bashkëpunimin rajonal në Ballkanin Perëndimor.

