Të paktën 51 punonjës të Policisë së Shtetit janë lënduar gjatë akteve të dhunës të regjistruara në protestën e sotme në Tiranë. Lajmin e ka bërë të ditur ministri i Punëve të Brendshme i Shqipërisë, Ervin Demo, i cili ka dënuar sulmet ndaj efektivëve dhe ka shprehur mbështetje për policët e lënduar.
Sipas ministrit, disa nga punonjësit e lënduar ndodhen në Spitalin Ushtarak, ku po marrin trajtimin e nevojshëm mjekësor.
Përmes një reagimi publik, Demo ka theksuar se dhuna ndaj policisë është e papranueshme dhe nuk mund të arsyetohet në asnjë rrethanë, duke bërë dallimin mes së drejtës për të protestuar dhe akteve të dhunshme.
“E drejta për të protestuar është e garantuar, por dhuna ndaj atyre që kanë për detyrë të mbrojnë rendin dhe sigurinë nuk është dhe nuk mund të jetë kurrë pjesë e saj”, ka deklaruar ministri.
Demo: Pas çdo uniforme qëndron një njeri
Në mesazhin e tij, ministri ka kujtuar se punonjësit e policisë janë njerëz me familje, të cilët dalin çdo ditë në krye të detyrës për të garantuar sigurinë e qytetarëve.
Ai ka falënderuar efektivët për qëndrimin e tyre gjatë protestës, duke vlerësuar profesionalizmin dhe përgjegjësinë e treguar përballë dhunës dhe rrezikut.
“Mirënjohje dhe respekt për çdo punonjës policie që sot, përballë dhunës dhe rrezikut, qëndroi në krye të detyrës me profesionalizëm, përkushtim dhe përgjegjësi”, ka shkruar Demo.
Ministri u ka uruar shërim të shpejtë të gjithë policëve të lënduar dhe ka shprehur solidaritet me ta dhe familjet e tyre.
“Pas uniformës është njeriu. Pas detyrës është sakrifica. Dhe kjo sakrificë meriton respektin e të gjithëve”, thuhet në përfundim të reagimit të tij.
Protesta në Tiranë është shoqëruar me tensione dhe akte dhune pranë Ministrisë së Arsimit, ku protestues të maskuar kanë sulmuar godinën me gurë dhe kanë dëmtuar hyrjen e saj. Ndërkohë, studentë nga disa fakultete kanë bojkotuar mësimin, duke kërkuar kushte më të mira studimi dhe dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

