Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar avancim konkret të Kosovës në procesin e integrimit evropian, përfshirë dhënien e statusit të vendit kandidat dhe hapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, gjatë konferencës së përbashkët me Komisioneren për Zgjerim, Marta Kos.
Në vizitën e parë zyrtare të komisioneres Kos në Kosovë që nga marrja e mandatit, Kurti tha se Kosova ka bërë progres të qëndrueshëm në demokraci, ekonomi dhe sundim të ligjit, duke theksuar se vendi meriton njohje konkrete nga Brukseli.
“Janë bërë mbi 40 muaj që kur kemi aplikuar dhe momenti i ripërtërirë i zgjerimit nga ana e Bashkimit Evropian duhet të rezultojë me avancimin e merituar të Kosovës”, deklaroi Kurti.
Ai theksoi se Kosova mbetet një nga vendet më pro-evropiane në rajon, me rreth 90 për qind mbështetje publike për anëtarësimin në BE, duke shtuar se Prishtina është plotësisht e harmonizuar me politikën e jashtme dhe të sigurisë së Bashkimit Evropian, përfshirë sanksionet kundër Rusisë dhe mbështetjen për Ukrainën.
Kurti bëri të ditur se Kosova tashmë ka përfituar 61.8 milionë euro para-financim nga Plani i Rritjes i BE-së, por paralajmëroi se bllokadat politike dhe mungesa e një Kuvendi funksional po rrezikojnë zbatimin e reformave dhe humbjen e afateve të rëndësishme.
Në fjalimin e tij, ai ngriti edhe çështjen e sigurisë rajonale, duke akuzuar Serbinë për përfshirje në sulmet në Banjskë dhe në kanalin Ibër-Lepenc, duke kërkuar llogaridhënie ndërkombëtare.
“Kemi një fqinj agresor që na sulmon në vend se të bashkëpunojë”, u shpreh Kurti.
Duke folur për marrëdhëniet me BE-në, ai nënvizoi se Kosova nuk po kërkon trajtim të favorshëm.
“Nuk po kërkojmë as rrugë të shkurtra e as derë të pasme, vetëm proces meritor”, përfundoi ai.

