Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) ka publikuar rekomandime për qytetarët për mbrojtje nga temperaturat e larta, të cilat mund të paraqesin rrezik të shtuar për shëndetin, veçanërisht për grupet më të ndjeshme.
Sipas IKSHPK-së, më të rrezikuar nga efektet e vapës janë fëmijët, të moshuarit dhe personat me sëmundje kronike, të cilët duhet të kenë kujdes të veçantë gjatë ditëve me temperatura të larta.
Instituti u ka bërë thirrje qytetarëve që:
- të pinë ujë shpesh për të parandaluar dehidratimin;
- të qëndrojnë sa më shumë në vende të freskëta dhe nën hije;
- të përdorin veshje të lehta dhe të përshtatshme për temperaturat e larta;
- të shmangin ekspozimin e gjatë në diell, sidomos gjatë orëve kur temperaturat janë më të larta;
- të mos i lënë fëmijët brenda automjeteve, pasi temperatura brenda një veture mund të rritet shpejt dhe të paraqesë rrezik serioz për jetën.
“Temperaturat e ngritura mund të paraqesin rrezik për shëndetin, veçanërisht për fëmijët, të moshuarit dhe personat me sëmundje kronike. IKSHPK ju fton të ndiqni rekomandimet për mbrojtje nga efektet e vapës dhe të kujdeseni për veten dhe të afërmit tuaj”, thuhet në njoftimin e institutit.
Autoritetet shëndetësore rikujtojnë se gjatë valëve të nxehtësisë duhet treguar kujdes i shtuar për shenjat e goditjes nga nxehtësia, si marramendja, dobësia, dhimbja e kokës, konfuzioni ose humbja e vetëdijes, dhe në raste të tilla kërkohet ndihmë mjekësore.

