Pas arrestimit të ish-kreut të Shërbimit Federal të Inteligjencës së Gjermanisë (BND), August Hanning, nën dyshimet për spiunazh dhe tradhti ndaj shtetit, autoritetet gjermane kanë arrestuar edhe ish-shefin e kabinetit të tij, Manfred D.
Manfred D., 64 vjeç, dyshohet se për vite me radhë ka përdorur pozitën e tij në BND për të siguruar dokumente të klasifikuara dhe për t’ia dorëzuar Hanningut në këmbim të pagesave. Sipas Prokurorisë Federale gjermane, marrëveshja mes tyre dyshohet se ka nisur në vitin 2010.
Hetuesit dyshojnë se Manfred D. i ka dorëzuar Hanningut rreth 2 mijë dokumente, një pjesë e konsiderueshme e të cilave përmbanin informacione konfidenciale të BND-së.
Hanning, i cili drejtoi shërbimin gjerman të inteligjencës nga viti 1998 deri në vitin 2005, dyshohet se e ka përdorur një pjesë të këtij informacioni për përgatitjen e analizave për shërbime të huaja inteligjence, në kuadër të aktivitetit të tij privat si konsulent.
Manfred D. akuzohet për ndihmë dhe bashkëpunim në tradhti ndaj shtetit dhe ndodhet në paraburgim.
Dy personat njihen që nga fundi i viteve ’90 dhe kanë punuar së bashku për shumë vite në BND, si dhe më vonë në Ministrinë e Brendshme të Gjermanisë.
Autoritetet gjermane po hetojnë se kujt i janë përcjellë informacionet e klasifikuara dhe nëse ato kanë përfunduar në duart e shërbimeve të huaja të inteligjencës.
Ndërkohë, Azerbajxhani ka mohuar raportimet se Hanning mund të ketë pasur kontakte me një agjent të këtij shteti, duke deklaruar se hetimi nuk ka lidhje me Baku-n.

