Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka kritikuar ashpër gjendjen aktuale institucionale në Kosovë, duke deklaruar se vendi po funksionon me ushtrues detyre në pozitat më të rëndësishme shtetërore.
Gjatë mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së, Abdixhiku tha se zgjedhjet e jashtëzakonshme dhe ushtrimi i funksioneve me mandate të përkohshme janë bërë “normalitet politik” në Kosovë.
“Jemi në fazën ku zgjedhjet e jashtëzakonshme konsiderohen diçka krejt normale. Të qenurit ushtrues detyre nuk shihet më si problem substancial demokratik, por si pjesë e zakonshme e jetës institucionale”, deklaroi ai.
Sipas Abdixhikut, Kosova ndodhet në një situatë të paprecedentë, ku pozitat kyçe të shtetit mbahen nga ushtrues detyre.
“Për herë të parë në historinë politike të Republikës së Kosovës kemi ushtrues detyre të kryeministrit, të kryetarit të Kuvendit dhe praktikisht edhe të presidentit. Sot Kosova ka ushtrues detyre të kryetarit të Kuvendit që ushtron edhe detyrën e ushtruesit të presidentit”, tha kreu i LDK-së.
Abdixhiku foli edhe për procesin e diskutimeve rreth zgjedhjes së presidentit, duke thënë se LDK-ja ishte angazhuar për të shmangur krizën institucionale dhe për të ruajtur stabilitetin politik.
“LDK dhe unë kemi zgjedhur të sillemi si forcë shtetformuese. Kemi komunikuar me të gjithë, kemi ofruar alternativa dhe kemi qenë të gatshëm për zgjidhje”, u shpreh ai.
Megjithatë, Abdixhiku akuzoi kundërshtarët politikë se synojnë kontroll të plotë institucional.
“Problemi ishte se përballë kishim një mendësi që kërkonte gjithçka: Qeverinë, Kuvendin dhe Presidentin. Kërkohej sistemi parti-shtet”, deklaroi Abdixhiku.

