Lumir Abdixhiku ka deklaruar se Lidhja Demokratike e Kosovës po hyn në një fazë të re politike me më shumë unitet dhe vendosmëri.
Gjatë “Tubimit të Bashkimit” që po mbahet në Prishtinë, Abdixhiku tha se LDK-ja po rikthehet më e fortë dhe më e bashkuar.
“Po vijmë kësaj here më të fortë, më të bashkuar, më të përkushtuar, me zemër të plotë dhe mendje të fortë… kjo është LDK-ja jonë”, deklaroi Abdixhiku.
Kandidati i LDK-së për kryeministër tha se në këtë rrugëtim politik është bashkë me Vjosa Osmani, të cilën e cilësoi si “grua të fortë dhe të pathyeshme”.
“Në këtë rrugëtim jam bashkë me një grua të fortë e të pathyeshme – me Vjosa Osmanin”, tha ai.
Abdixhiku kritikoi politikën përçarëse dhe populiste, duke thënë se e ardhmja nuk u takon atyre që, sipas tij, “ndajnë, propagandojnë dhe mashtrojnë”.
“E ardhmja nuk i takon atyre që ndajnë, përçajnë, propagandojnë e mashtrojnë”, u shpreh kreu i LDK-së.
Ai theksoi se Kosova ka nevojë për një politikë bashkuese dhe për rikthimin e frymës demokratike.
“Kosova ka nevojë më shumë se kurrë për bashkim politik që ndërpret pangopësinë politike populiste. Kosova ka nevojë për Lidhjen Demokratike”, deklaroi Abdixhiku.

