Nënkryetari i Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka reaguar ndaj veprimeve të qeverisë në detyrë, duke akuzuar ekzekutivin se po tejkalon kompetencat ligjore në periudhën e tranzicionit institucional.
Tahiri deklaroi se një qeveri në dorëheqje nuk është thjesht “në pritje”, por funksionon me kompetenca të kufizuara, ashtu siç përcaktohet në Ligjin për Qeverinë.
Sipas tij, neni 31 i këtij ligji e ndalon qeverinë në dorëheqje që të iniciojë procedura të reja për emërime në pozita publike, duke theksuar se ky kufizim vlen edhe për periudhën pas shpërndarjes së Kuvendit deri në formimin e institucioneve të reja.
Ai ngriti shqetësime lidhur me shpalljen e konkurseve për rreth 20 pozita të larta udhëheqëse nga qeveria aktuale, duke e cilësuar këtë veprim si problematik nga aspekti ligjor dhe institucional.
Sipas Tahirit, vendime të tilla krijojnë perceptimin e kapjes së institucioneve në një moment të ndjeshëm politik, kur, sipas tij, vendimmarrja për emërime të rëndësishme duhet t’i lihet qeverisë së re që do të dalë nga zgjedhjet.
“Respektimi i ligjit nuk është opsion, është detyrim”, theksoi Tahiri në reagimin e tij publik.

