Mijëra familje shqiptare që jetojnë dhe punojnë në Austria pritet të përfitojnë këtë javë nga pagesat mujore të ndihmës familjare, një nga mbështetjet kryesore sociale për prindërit dhe fëmijët në këtë shtet evropian.
Sipas platformës financiare austriake Finanz.at, pagesat për muajin maj 2026 do të ekzekutohen më 8 maj, ndërsa fondet zakonisht transferohen direkt në llogaritë bankare të përfituesve.
Ndihma familjare në Austri është një prej përfitimeve më të rëndësishme sociale dhe përfshin edhe një numër të madh të diasporës shqiptare, sidomos familjet nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut që jetojnë atje prej vitesh.
Shumat varen nga mosha e fëmijës dhe për vitin 2026 mbeten të pandryshuara krahasuar me vitin paraprak, për shkak të pezullimit të indeksimit të ndihmës familjare. Aktualisht, pagesat variojnë nga 138.40 euro deri në 200.40 euro në muaj për çdo fëmijë, ndërsa bashkë me kreditin tatimor për fëmijë, përfitimi total mund të arrijë deri në 271.30 euro në muaj për një fëmijë.
Autoritetet austriake kanë bërë të ditur se pagesat realizohen çdo muaj jo më vonë se data 8, me qëllim që familjet të kenë më shumë siguri dhe planifikim financiar.
Megjithatë, shumë familje emigrante janë ankuar se ngrirja e rritjes së ndihmës familjare për vitin 2026 po ndikon drejtpërdrejt në buxhetin e tyre, sidomos në kushtet e rritjes së kostos së jetesës në Austri. Sipas raportimeve lokale, disa familje mund të humbin realisht deri në 100 euro në vit nga mosindeksimi i përfitimeve.
Për diasporën shqiptare, ndihma familjare mbetet një mbështetje e rëndësishme ekonomike, veçanërisht për familjet me më shumë fëmijë dhe për ata që përballen me shpenzime të larta për qira, energji dhe arsim në Austri.
