Marrëdhëniet gjithnjë e më të afërta mes Serbisë dhe Kinës po ngjallin shqetësime në Bashkimin Evropian, ndërsa Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vučić, mund të jetë pranë një “vije të kuqe” politike sa i përket ambicieve evropiane të vendit, raportoi Bloomberg.
Sipas raportimit, BE po shpreh shqetësim për thellimin e bashkëpunimit ushtarak mes Beogradit dhe Pekinit, veçanërisht pas blerjes së raketave balistike supersonike CM-400 nga Kina. Serbia mbetet aktualisht i vetmi shtet evropian në perëndim të Bjellorusisë që ka blerë armë të avancuara kineze.
Raporti thekson se gjatë vizitës së planifikuar të Vuçiçit në Kinë, nga 24 deri më 28 maj, mund të diskutohet edhe blerja e avionëve luftarakë kinezë. Sipas burimeve, Beogradi po shqyrton mundësinë e zëvendësimit të avionëve rusë MIG me avionë kinezë të tipit J-10.
Nëse Serbia do të finalizonte një marrëveshje të tillë, kjo do të shënonte hyrjen e parë të këtyre avionëve luftarakë në tregun evropian.
Sipas të dhënave të publikuara nga Bloomberg, Kina ka qenë eksportuesi më i madh i armëve për Serbinë gjatë periudhës 2021–2025, duke lënë pas Francën, Rusinë dhe Bjellorusinë.
Raporti vlerëson se Serbia ka kaluar nga një destinacion investimesh kineze në një partner strategjik të Pekinit. Marrëdhëniet mes dy vendeve janë thelluar edhe në aspektin politik, ku Kina ka mbështetur pozicionin e Serbisë lidhur me Kosovën, ndërsa Beogradi ka shprehur mbështetje për qëndrimet kineze ndaj Tajvanit.
Duke iu referuar një zyrtari evropian, Bloomberg raportoi se Bashkimi Evropian e ka paralajmëruar Serbinë se rritja e mëtejshme e investimeve dhe bashkëpunimit me Kinën mund të dëmtojë procesin e integrimit evropian.
“Të gjithë treguesit tregojnë se Serbia ka devijuar nga rruga e saj evropiane”, citohet të ketë thënë Žarko Puhovski, profesor i shkencave politike në Universitetin e Zagrebit.
