Është shtuar qarkullimi i automjeteve në disa pika kufitare të Kosovës, ku pasditen e së dielës janë regjistruar pritje më të gjata, veçanërisht në Dheu i Bardhë, Hani i Elezit, Muçibabë, Jarinjë dhe Vërmicë.
Sipas të dhënave të përditësuara nga Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar, pritjet më të gjata për hyrje në Kosovë janë regjistruar në pikën kufitare Dheu i Bardhë, ku qytetarët po presin deri në 50 minuta, ndërsa kolona arrin 70-80 metra. Në dalje nga kjo pikë, pritja është vetëm 3-5 minuta.
Në Hani i Elezit, pritja për hyrje është rreth 20 minuta, me kolonë prej 100 metrash, ndërsa në Muçibabë pritjet arrijnë po ashtu 20 minuta, me kolonë deri në 300 metra.
Në Jarinjë, qytetarët presin 15 deri në 20 minuta për të hyrë në Kosovë, ndërsa në Kullë pritjet janë 10-15 minuta në hyrje dhe 7-10 minuta në dalje, me kolonë prej 50 metrash.
Edhe në Vërmicë është regjistruar fluks më i madh, ku pritja për hyrje është 10-15 minuta, ndërsa për dalje 5-10 minuta. Kolonat arrijnë deri në 60 metra në hyrje dhe 40 metra në dalje.
Ndërkohë, në pikat e tjera kufitare si Bërnjak, Merdarë, Glloboqicë, Qafë e Morinës, Qafë e Prushit, Mutivodë dhe Stançiq, qarkullimi vazhdon pa pritje të gjata, me procedura që zgjasin nga 1 deri në 15 minuta.
Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve, veçanërisht mërgimtarëve që po udhëtojnë gjatë sezonit veror, të informohen paraprakisht për gjendjen në pikat kufitare dhe të planifikojnë udhëtimin për të shmangur vonesat.

