Ramush Haradinaj, ka kujtuar shtatëvjetorin e dorëheqjes së tij nga posti i kryeministrit të Kosovës, duke theksuar se vendimi ishte marrë për të mbrojtur integritetin e shtetit dhe jo për arsye personale.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Haradinaj rikujtoi se kishte dhënë dorëheqje për herë të dytë nga posti i kryeministrit, pasi ishte ftuar për intervistim nga Dhomat e Specializuara në Hagë.
Ai tha se kishte vendosur të paraqitej para Gjykatës Speciale si qytetar dhe jo si kryetar i Qeverisë së Kosovës.
“Atëherë deklarova se nuk shkoj të paraqitem për t’u marrë në pyetje nga Dhomat e Specializuara në Hagë si kryetar qeverie, por si qytetar”, ka shkruar Haradinaj.
Sipas tij, në atë periudhë Kosova po përballej me presion për arritjen e një marrëveshjeje me Serbinë, ndërsa ritheksoi kundërshtimin e tij ndaj çdo ideje për ndarje të vendit ose krijimin e një modeli të ngjashëm me “Republika Srpska” në Kosovë.
“Deklarova se Kosovës po i bëhej presion i padrejtë për çmimin e njohjes nga Serbia dhe se ndarja dhe ‘Dodik Republika’ për Kosovën janë të papranueshme”, theksoi ai.
Haradinaj shtoi se qëndrimet e tij të asaj kohe mbeten të pandryshuara edhe sot.
“Qëndrimi im atëherë ishte i qartë dhe i palëkundur. Ai mbetet i njëjtë edhe sot”, përfundoi lideri i AAK-së.

