Mijëra shqiptarë nga Austria, Gjermania, Zvicra dhe vende të tjera të Evropës Perëndimore, të cilët kanë nisur pushimet verore në Kosovë , Shqipëri, Kroaci dhe Malit të Zi, po përballen sot me kolona të gjata dhe pritje shumëorëshe gjatë kthimit drejt vendeve ku jetojnë e punojnë.
Sipas autoriteteve kroate të trafikut (HAK), qarkullimi është rënduar ndjeshëm në autostradat kryesore dhe në pikat kufitare, ku janë krijuar kolona që arrijnë deri në 7 kilometra.
Një nga situatat më të vështira raportohet në pikën kufitare Bajakovo–Batrovci, në kufirin mes Kroacisë dhe Serbisë, ku kolona e automjeteve shtrihet rreth 7 kilometra, ndërsa pritjet janë të gjata për drejtuesit e mjeteve.
Trafik i rënduar është regjistruar edhe në autostradën A1 Zagreb–Split–Dubrovnik, veçanërisht mes pikës së pagesës Lučko dhe nyjës Bosiljevo II, ku qarkullimi zhvillohet ngadalë për shkak të fluksit të madh të automjeteve.
Në autostradën A2 Zagreb–Macelj, kolona pranë pikës së pagesës Trakošćan, në drejtim të Zagrebit, arrin rreth 5 kilometra, ndërsa në Urën e Krkut radha drejt kontinentit është rreth 13 kilometra.
Autoritetet e trafikut u bëjnë thirrje udhëtarëve, veçanërisht mërgimtarëve që po kthehen drejt Austrisë, Gjermanisë, Zvicrës dhe vendeve të tjera evropiane, të planifikojnë udhëtimin me kujdes, të kontrollojnë gjendjen e rrugëve dhe kufijve para nisjes, të kenë ujë të mjaftueshëm gjatë rrugës dhe të bëjnë pushime të shpeshta për shkak të temperaturave të larta dhe pritjeve të gjata.

