Dy të rinjtë që ishin raportuar të humbur në zonën malore ndërmjet Shtërpcës, Ferizajt dhe Suharekës janë gjetur në gjendje të mirë shëndetësore pas një operacioni disaorësh të kërkim-shpëtimit.
Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, rasti është raportuar më 1 gusht 2026, rreth orës 20:40, kur është marrë informacioni se dy persona kishin humbur orientimin dhe kishin mbetur të bllokuar në terren.
Menjëherë pas njoftimit, në aksion janë angazhuar njësitë policore nga Ferizaj, Shtërpca dhe Suhareka, ndërsa është njoftuar edhe Shoqata e Kosovës për Kërkim dhe Shpëtim, e cila ka dërguar ekipet e saj në terren.
Rreth orës 01:00 të datës 2 gusht 2026, ekipet e kërkim-shpëtimit arritën t’i lokalizonin dhe t’i nxirrnin nga terreni dy të rinjtë, rreth 20-vjeçarë, të cilët kishin humbur rrugën pasi ishin futur me një motoçikletë katër-rrotëshe (ATV) në një rrugë pa dalje në zonën malore.
Sipas Policisë, ata iu dorëzuan familjarëve në gjendje të mirë shëndetësore dhe pa asnjë lëndim.
Policia Rajonale e Ferizajt ka shprehur mirënjohje për Shoqatën e Kosovës për Kërkim dhe Shpëtim – dega në Suharekë, duke vlerësuar profesionalizmin, gatishmërinë dhe përkushtimin e treguar gjatë operacionit.
Në fund, Policia u bëri apel qytetarëve që të tregojnë kujdes të shtuar gjatë lëvizjes në zonat malore, të shmangin shtigjet e panjohura, veçanërisht gjatë natës, si dhe të planifikojnë itinerarin, të njoftojnë familjarët dhe ekipet e kërkim-shpëtimit për destinacionin e tyre, duke u pajisur gjithmonë me mjete orientimi dhe komunikimi.

