Kryetari i Mitrovicës së Jugut, Bedri Hamza, ka përkujtuar masakrën e Likoshanit dhe Çirezit, duke theksuar se këto ngjarje tragjike mbeten ende plagë të hapura për Kosovën për shkak të mungesës së drejtësisë për viktimat.
Përmes një reagimi publik, Hamza rikujtoi se më 28 shkurt të vitit 1998, forcat e regjimit serb ekzekutuan civilë të pafajshëm në këto dy fshatra të Drenicës, me qëllim që të thyenin rezistencën e popullit shqiptar.
“Likoshani dhe Çirezi mbeten plagë të hapura, sepse drejtësia për viktimat ende mungon. Më 28 shkurt 1998, forcat e regjimit serb ekzekutuan në këto fshatra civilë të pafajshëm, duke menduar se do ta thyenin shpirtin e rezistencës në Drenicë”, ka shkruar Hamza.
Ai theksoi se liria që gëzon sot Kosova është rezultat i sakrificës së atyre që dhanë jetën për vendin, duke shtuar se kujtimi i tyre duhet të shërbejë si amanet për të mos heshtur kurrë përballë padrejtësive.
“Kosova që sot e gëzojmë është amanet i tyre. Dhe, po ashtu, amanet i tyre është që kurrë të mos heshtim përballë padrejtësive. Lavdi të përjetshme të gjithë të rënëve për lirinë”, u shpreh ai.

