Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka zhvilluar një intervistë të shkurtër me influencuesin e njohur ukrainas Max Klymenko, i cili numëron rreth 2 milionë ndjekës në Instagram.
Videoja, e publikuar së fundmi nga Klymenko, është realizuar gjatë Samitit të NATO-s në Ankara, ku ishte i pranishëm edhe kryeministri shqiptar. Biseda prek tema të ndryshme, nga përditshmëria e Ramës dhe puna si kryeministër, deri te marrëdhëniet ndërkombëtare, basketbolli dhe këshillat për të rinjtë.
“Pjesa më e vështirë? Të mos çmendem”
I pyetur se cila është pjesa më e vështirë e detyrës së tij, Rama u përgjigj me humor:
“Që të mos çmendem.”
Ndërsa për pjesën më të pëlqyer të punës së tij, ai tha:
“Të bëj gjëra të mira për njerëzit.”
“Shqipëria ka bërë gjithçka ka mundur për Ukrainën”
Në lidhje me mbështetjen ndaj Ukrainës, Rama theksoi se Shqipëria ka kontribuar sipas mundësive të saj.
“Ne nuk jemi një vend i madh e as i pasur, por kemi qenë me ta me gjithçka kemi mundur.”
“Kërcënimi më i madh për Shqipërinë janë shqiptarët”
Një nga momentet që tërhoqi më shumë vëmendje ishte përgjigjja e Ramës kur u pyet se cili është kërcënimi më i madh për Shqipërinë.
“Kërcënimi më i madh për Shqipërinë janë shqiptarët, në kuptimin që ne duhet të jemi të vetëdijshëm se kemi shumë punë për të bërë dhe duhet të vazhdojmë në drejtimin e Bashkimit Evropian. Kur të jemi në BE, do të jemi të sigurt edhe nga vetja jonë.”
Flet për gjumin dhe marrëdhëniet me liderët botërorë
Rama tha se zakonisht fle rreth pesë orë në natë, ndonjëherë edhe më pak.
Sa i përket marrëdhënieve me liderët ndërkombëtarë, ai veçoi kryeministren italiane Giorgia Meloni, duke theksuar marrëdhënien e veçantë mes Shqipërisë dhe Italisë.
Ai kujtoi gjithashtu se me ish-kryeministrin holandez, tashmë Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, fillimisht kishte pasur një marrëdhënie sfiduese, por më pas ajo u shndërrua në një miqësi të ngushtë.
Nga basketbolli te arti
Kryeministri tregoi se përpara angazhimit në politikë ishte artist dhe se kishte luajtur edhe me kombëtaren shqiptare të basketbollit.
“Kam luajtur basketboll me skuadrën kombëtare, jo se isha shumë i mirë, por sepse isha i gjatë.”
Këshilla për të rinjtë
Në fund të intervistës, Rama u pyet se çfarë këshille do t’u jepte të rinjve.
Ai u përgjigj se nuk është adhurues i dhënies së këshillave.
“Kur isha fëmijë nuk më pëlqente të merrja këshilla dhe i kam premtuar vetes se, kur të rritesha, nuk do t’u jepja këshilla të rinjve. Nuk është ide e mirë.”
