Një nga trafikantët më të kërkuar në Europë, hungarezi 48-vjeçar Janos Balla, është arrestuar në Meksikë.
Ai akuzohet për trafik ndërkombëtar droge dhe ishte dënuar me 6 vite burg në një vend të Bashkimit Evropian. Balla, i njohur edhe me emrin “Daniel Takacs”, ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar me “alarm të kuq” nga Interpoli.
Arrestimi u realizua në shtetin Quintana Roo, falë bashkëpunimit mes autoriteteve meksikane dhe atyre hungareze, pas identifikimit të vendndodhjes së tij.
Pas ndalimit, ai është vendosur në paraburgim nga autoritetet e migracionit në Meksikë, ndërsa pritet të deportohet drejt Evropës për t’u përballur me drejtësinë.
Ky operacion konsiderohet një goditje e rëndësishme ndaj krimit të organizuar ndërkombëtar.

