Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka reaguar ndaj raportimeve të fundit në media, duke sqaruar se sistemi prodhues po operon sipas Bilancit Vjetor të Energjisë Elektrike (BVEE) 2026 dhe se gjendja e njësive prodhuese nuk është paraqitur në mënyrë të plotë.
Sipas KEK-ut, aktualisht janë në operim njësitë A3 dhe A4 të Termocentralit Kosova A, si dhe njësia B2 e Termocentralit Kosova B.
Korporata bëri të ditur se njësia A3 ishte ndalur përkohësisht për shkak të rrjedhjeve të identifikuara në kaldajë, por pas përfundimit të punimeve teknike është rikthyer në prodhim dhe aktualisht operon në mënyrë stabile.
Ndërkohë, njësia A5 ndodhet në revizion të planifikuar për periudhën 1–10 gusht 2026, në përputhje me planifikimet e BVEE-së.
Sa i përket njësisë B1, KEK thekson se ajo nuk është thjesht “jashtë prodhimit”, por është duke iu nënshtruar projektit më të madh të modernizimit në historinë e saj. Projekti përfshin rehabilitimin e njësisë, ndërtimin e elektrofiltrave të rinj dhe instalimin e sistemit DeNOx, me përfundim të planifikuar në gjysmën e parë të muajit dhjetor 2026.
KEK vlerëson se paraqitja e njësisë B1 vetëm si “jashtë prodhimit”, pa përmendur investimet dhe punimet modernizuese, krijon një perceptim të gabuar te opinioni publik.
Në fund, Korporata u ka bërë thirrje mediave që, para publikimit të informacioneve për sektorin energjetik, t’u referohen njoftimeve dhe dokumenteve zyrtare, duke theksuar se raportimi i aktiviteteve të planifikuara të mirëmbajtjes dhe modernizimit si mungesë e papritur e prodhimit krijon konfuzion dhe dezinformon qytetarët.

