Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka njoftuar se është zbuluar edhe një varr masiv me mbetje mortore të viktimave të luftës së fundit në Kosovë, këtë herë në fshatin Jabukë të komunës së Zubin-Potokut.
Sipas Sveçlës, varri i ri masiv ndodhet rreth 10 kilometra larg lokacionit në Kalludër, ku kërkimet për mbetje mortore po vazhdojnë ende.
Ai falënderoi Policinë e Kosovës, njësitë për hetimin e krimeve të luftës, Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI), Institutin e Mjekësisë Ligjore dhe Prokurorinë e Kosovës për angazhimin në hulumtimin, hetimin dhe identifikimin e këtyre lokacioneve.
Në reagimin e tij, Sveçla akuzoi Serbinë se vazhdon të refuzojë dhënien e informacioneve për personat e zhdukur me dhunë gjatë luftës, ndërsa, sipas tij, ushtron presion dhe ndëshkon qytetarët që bashkëpunojnë në zbulimin e varreve masive.
Ai po ashtu kritikoi udhëheqjen aktuale serbe, duke thënë se Serbia nuk ka ndryshuar nga periudha e regjimit të Slobodan Millosheviqit, ndërsa përmendi edhe glorifikimin e njësive ushtarake që, sipas tij, janë përgjegjëse për krime lufte në Kosovë.
Sveçla u bëri thirrje partnerëve ndërkombëtarë që të dënojnë dhe ndëshkojnë, sipas tij, sjelljen e Serbisë, duke theksuar se pa përgjegjësi nuk mund të ketë drejtësi dhe as paqe të qëndrueshme në Ballkanin Perëndimor.
Në fund, ai ritheksoi se institucionet e Kosovës do të vazhdojnë kërkimet për zbardhjen e fatit të të gjithë personave të vrarë dhe të zhdukur gjatë luftës, si dhe angazhimin për vënien para drejtësisë të përgjegjësve për krimet e luftës.

