Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit ka njoftuar se nesër do të hyjnë në fuqi kufizime të përkohshme të qarkullimit për automjetet e transportit të mallrave me masë totale mbi 20 tonë, për shkak të temperaturave të larta të parashikuara.
Sipas njoftimit, në autoudhët e Kosovës qarkullimi i këtyre automjeteve do të ndalohet nga ora 11:00 deri në 17:30, pasi temperaturat pritet të arrijnë ose të tejkalojnë 32 gradë Celsius.
Ministria bën të ditur se në rrugët nacionale, rajonale dhe lidhëse nuk do të ketë kufizime, ndërsa qarkullimi do të zhvillohet normalisht.
Nga kjo masë përjashtohen automjetet e Policisë së Kosovës, institucioneve të sigurisë publike, shërbimeve emergjente dhe institucioneve shëndetësore.
Ministria u ka bërë thirrje operatorëve ekonomikë dhe drejtuesve të automjeteve të respektojnë kufizimin dhe të planifikojnë qarkullimin në përputhje me orarin e përcaktuar, me qëllim mbrojtjen e infrastrukturës rrugore gjatë temperaturave të larta.

