Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) ka vendosur të suspendojë gjyqtarin Avdirrahman Gashi, pas arrestimit të tij nën dyshimin për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Vendimi është marrë në vazhdimin e mbledhjes së 371-të të KGJK-së, e cila është zhvilluar të enjten me dyer të mbyllura.
Sipas njoftimit të KGJK-së, Këshilli ka shqyrtuar dhe analizuar rastin disiplinor dhe ka vendosur të themelojë një panel hetimor për rastin me numër AD/KGJK/04/2026/GJTHPR-AD/GJTHPR.nr.28/26.
“Këshilli, pas shqyrtimit dhe analizimit të rastit disiplinor ka themeluar panelin hetimor dhe ka vendosur për suspendimin e subjektit të hetimit, deri në një vendim tjetër të Këshillit”, thuhet në njoftimin e KGJK-së.
Sipas burimeve të “Betimi për Drejtësi”, suspendimi lidhet me arrestimin e Gashit nën dyshimin për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.
Ndërkohë, Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, më 15 gusht 2026, kishte caktuar ndaj Gashit masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji. Vendimi më pas ishte konfirmuar edhe nga Gjykata e Apelit.
Me themelimin e panelit hetimor dhe suspendimin e tij, KGJK-ja ka nisur procedurën disiplinore ndaj gjyqtarit, ndërsa masa e suspendimit do të jetë në fuqi deri në një vendim tjetër të Këshillit.
Gashi gëzon prezumimin e pafajësisë deri në një vendim përfundimtar të gjykatës.

