Magazina QendraQendra
  • Kreu
  • Lajme
  • Sport
  • Lifestyle
  • Shendeti
  • Fejton
  • Kulture
  • Ekonomia
  • Opinione
Home Lajme

Konjufca – Gjuriqit: Për çfarë të ardhmeje evropiane flet, kur del në fotografi me Radoiçiqin?

Qendra Info by Qendra Info
21/10/2026
in Lajme
0
Konjufca – Gjuriqit: Për çfarë të ardhmeje evropiane flet, kur del në fotografi me Radoiçiqin?
0
SHARES
6
VIEWS
Share on FacebookShare on Twitter

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Glauk Konjufca, ka kritikuar ministrin e Jashtëm të Serbisë, Marko Gjuriq, për fotografitë e tij me Milan Radoiçiqin, të cilin e ka cilësuar si përgjegjësin kryesor për sulmin në Banjskë. Gjatë mbledhjes së Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Konjufca ka vënë në pikëpyetje përkushtimin e Serbisë ndaj integrimit evropian dhe ka akuzuar Beogradin për nxitje të tensioneve ndëretnike e fetare në Kosovë.

“Kur flasim për të ardhmen evropiane, për të cilën ministri Gjuriq shprehet aq i obsesionuar, dua t’i jap një këshillë: të mos takohet me Radoiçiqin. Fotografitë e tij bashkë me Radoiçiqin nuk e di se çfarë përmbajnë bisedat mes tyre, por ai është person që kërkohet nga Interpoli. Kur shohim një ministër të një shteti kandidat për integrim në BE që takohet me një person të tillë, të kërkuar nga Interpoli, nuk e di për çfarë integrimi evropian apo çfarë të ardhmeje po flasim”, ka thënë Konjufca.

Konjufca: Kosova është shtet shumëetnik

Konjufca i është kundërpërgjigjur Gjuriqit edhe lidhur me pretendimet për incidente fetare në Kosovë. Ai ka theksuar se Kosova është shtet shumëetnik dhe ka përmendur zgjedhjen e presidentes Justina Shiroka-Pula, të cilën e ka përshkruar si presidente me përkatësi fetare katolike.

Sipas Konjufcës, harmonia fetare është një nga tiparet e shoqërisë kosovare, ndërsa Serbia, sipas tij, e përdor çështjen fetare për të nxitur ndarje etnike.

“Si mund të jemi shtet ekstremist në aspektin fetar, kur ne rishtazi kemi zgjedhur një presidente që vjen nga feja katolike? Serbia është e njohur për shfrytëzimin e kishës për ndarje etnike. Fabrikon incidente për të ruajtur marrëdhëniet e këqija ndëretnike. E ka bërë këtë edhe në vitet ’90 dhe vazhdon ta bëjë edhe sot”, ka deklaruar ai.

Konjufca ka përmendur edhe viktimat shqiptare të besimit katolik gjatë luftës në Kosovë, duke iu referuar veçanërisht Masakrës së Mejës, në të cilën, sipas tij, u vranë 377 persona, shumica prej tyre katolikë.

“Kjo është kur flasim se sa Serbia e mbron krishterizmin në botë. Ky është vazhdim i luftës hibride përmes nxitjes së incidenteve të rreme fetare”, ka thënë Konjufca.

Konjufca kërkon nga UNMIK-u të mos i bëjë jehonë propagandës serbe

Gjatë fjalës së tij në Këshillin e Sigurimit, Konjufca ka kritikuar edhe raportin e misionit të UNMIK-ut për Kosovën, duke pretenduar se ai paraqet në mënyrë të njëanshme zhvillimet në vend dhe mbështetet kryesisht në propagandën serbe.

Ai ka thënë se raporti i përmend vetëm pjesërisht përpjekjet e Kosovës për promovimin e sundimit të ligjit, stabilitetit dhe lirisë së lëvizjes.

Sipas Konjufcës, edhe sulmi në Banjskë është përshkruar si ngjarje e dhunshme, në vend që të cilësohet si sulm terrorist.

“Raporti i UNMIK-ut përmend në mënyrë të pjesshme përpjekjet tona për të promovuar sundimin e ligjit, stabilitetin dhe lirinë e lëvizjes. Është dëshpëruese që shumë prej këtyre rasteve në raportin e UNMIK-ut bazohen kryesisht në propagandën serbe. Edhe sulmi i Banjskës përmendet si ngjarje e dhunshme, në vend që të përmendet ashtu siç është – sulm terrorist. Raporti përmban keqinformata”, ka deklaruar ai.

Konjufca ka theksuar se veprimet e Policisë së Kosovës ndaj personave të përmendur në raport nuk përbëjnë, sipas tij, arrestime apo persekutim të serbëve, por janë kryer në përputhje me ligjin.

Ai i ka bërë thirrje Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së që të mos miratojë një raport që, sipas tij, i bën jehonë propagandës së Serbisë dhe i paraqet incidentet e pretenduara ndaj objekteve fetare si çështje etnike.

“Raportim i qartë dhe i saktë është qenësor për të siguruar që ky mision të mos bëjë dëm”, ka thënë Konjufca.

Gjatë mbledhjes, ai ka kërkuar gjithashtu që Këshilli i Sigurimit të ecë drejt një agjende që do të mundësonte pranimin e Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

“Ka ardhur koha që ky Këshill të ecë drejt një agjende afirmative për të mundësuar pranimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara”, është shprehur ai.

Konjufca: Serbia ka vrarë 12 mijë njerëz të pafajshëm në Kosovë

Në një tjetër pjesë të fjalimit, Konjufca i është drejtuar Gjuriqit lidhur me krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë, duke thënë se Serbia ka vrarë 12 mijë njerëz të paarmatosur dhe të pafajshëm.

Ai e ka kritikuar ministrin e Jashtëm serb për faktin se, sipas tij, nuk përmendi krimet serbe gjatë fjalës së tij, duke e cilësuar këtë si mohim të drejtësisë.

Konjufca: Aktgjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së përmban gabime

Konjufca ka folur edhe për aktgjykimin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke deklaruar se ai përmban gabime faktike dhe përmbajtësore.

Ai ka shprehur pritjen që këto gabime të korrigjohen gjatë procesit të apelit.

“Aktgjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së përmban gabime në fakte dhe në përmbajtje. Ne presim që këto gabime të korrigjohen në procesin e apelit. Drejtësia duhet të jetë e paanshme, të mbështetet në fakte dhe prova dhe të garantojë një proces të drejtë për të gjithë”, ka deklaruar Konjufca.

Mbledhja e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ku u diskutua për Kosovën, u karakterizua nga përplasjet mes përfaqësuesve të Kosovës dhe Serbisë për raportin e UNMIK-ut, krimet e luftës, zhvillimet në vend dhe të ardhmen e dialogut mes dy shteteve.

Related

Previous Post

KEDS njofton për ndërprerjet e rrymës

Next Post

Daut Haradinaj kritikon Konjufcën: “Një Kosovë të poshtëruar deri në këtë pikë kurrë s’e kam pritur”

Next Post
“Haradinaj i përgjigjet ministres serbe: Kosova kurrë nuk ka qenë ‘zemra e Serbisë’”.

Daut Haradinaj kritikon Konjufcën: “Një Kosovë të poshtëruar deri në këtë pikë kurrë s’e kam pritur”

Please login to join discussion
  • Kreu
  • Lajme
  • Sport
  • Lifestyle
  • Shendeti
  • Fejton
  • Kulturë
  • Ekonomia
  • Opinione

© 2026 JNews - Premium WordPress news & magazine theme by Jegtheme.

×
No Result
View All Result

Recent Searches

Lajme
Shendet
Sport
Kulture
Ekonomi
No Result
View All Result
  • Kreu
  • Lajme
  • Sport
  • Lifestyle
  • Shendeti
  • Fejton
  • Kulturë
  • Ekonomia
  • Opinione

© 2026 JNews - Premium WordPress news & magazine theme by Jegtheme.