Kosova do të përfitojë gjithsej 206.4 milionë euro nga fondet e Bashkimit Evropian, pas miratimit të projekteve në kuadër të programeve IPA 2026 dhe IPA 2027, si dhe tre granteve nga Korniza Investuese për Ballkanin Perëndimor (WBIF).
Lajmin e bëri të ditur kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i cili njoftoi se më 7 korrik, Bashkimi Evropian e informoi zyrtarisht Kosovën se Komiteti i IPA-s ka miratuar projektet e propozuara nga vendi në vlerë prej 180.5 milionë euro. Projektet do të nisin zbatimin pas miratimit nga Komisioni Evropian, nënshkrimit të Marrëveshjes Financiare dhe ratifikimit të saj në Kuvendin e Kosovës.
Fondet do të mbështesin sektorët prioritarë të zhvillimit të vendit:
- Mjedisi dhe klima – 44 milionë euro;
- Energjia – 34.5 milionë euro;
- Menaxhimi i kufijve dhe migrimi – 30.5 milionë euro;
- Konkurrueshmëria, arsimi dhe punësimi – 31.8 milionë euro;
- Qeverisja e mirë dhe përafrimi me BE-në – 24.7 milionë euro;
- Sundimi i ligjit – 15 milionë euro.
Sipas Kurtit, rreth gjysma e këtyre fondeve do të investohen në projekte infrastrukturore, ndërsa shumica e tyre do të realizohen në bashkëpunim me partnerë ndërkombëtarë dhe me bashkëfinancim nga institucionet e Kosovës.
Përveç fondeve IPA, janë miratuar edhe 25.9 milionë euro përmes WBIF, të destinuara për:
- asistencë teknike për projektin e Hidrosistemit Ibër-Lepenc;
- asistencë teknike për segmentin e Autostradës Qafë e Duhlës–Banullë;
- një grant investues prej 24.3 milionë euro për Impiantin e Trajtimit të Ujërave të Zeza në Podujevë, në bashkëpunim me BERZH-in.
Kurti falënderoi Bashkimin Evropian për mbështetjen, duke theksuar se këto mjete do të shfrytëzohen për zhvillimin e vendit dhe përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve.

