Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se numri i përgjithshëm i shtetasve të Kosovës me të drejtë vote në zgjedhjet e 7 qershorit arrin në 2,092,174 votues.
Sipas KQZ-së, Lista Përfundimtare e Votuesve përmban 15,884 votues më shumë krahasuar me zgjedhjet e parakohshme parlamentare të mbajtura më 28 dhjetor 2025.
Nga numri i përgjithshëm i votuesve, 1,959,962 qytetarë kanë të drejtë vote brenda Kosovës, ndërsa 132,212 janë regjistruar për të votuar jashtë vendit.
KQZ ka bërë të ditur se nga votuesit e regjistruar në diasporë, 100,970 do të votojnë përmes postës jashtë Kosovës, 3,518 do të dërgojnë fletëvotimin në kutinë postare në Kosovë, ndërsa 27,724 janë regjistruar për votim fizik në përfaqësitë diplomatike të Republikës së Kosovës.
Mbi 22 mijë votues do të votojnë për herë të parë
Sipas raportit të KQZ-së, në këto zgjedhje do të votojnë për herë të parë gjithsej 22,685 qytetarë.
Prej tyre, 16,934 votues kanë mbushur moshën 18-vjeçare pas zgjedhjeve të fundit parlamentare dhe do të ushtrojnë për herë të parë të drejtën e votës. Nga ky numër, 8,752 janë meshkuj dhe 8,182 femra.
Ndërkaq, 5,751 votues janë regjistruar për herë të parë në Regjistrin Qendror Civil ose kanë rikthyer shtetësinë e Republikës së Kosovës.
Mbi 6,800 votues janë larguar nga lista
KQZ ka bërë të ditur se pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit 2025, nga Lista Përfundimtare e Votuesve janë larguar 6,801 persona.
Sipas të dhënave zyrtare, 6,165 prej tyre janë larguar si persona të vdekur, 419 për shkak të humbjes së shtetësisë së Kosovës, ndërsa 217 të tjerë pas përditësimit të të dhënave nga institucionet kompetente.
949 qendra votimi në Kosovë dhe 30 përfaqësi diplomatike jashtë vendit
Procesi zgjedhor brenda vendit do të organizohet në 949 qendra votimi me gjithsej 2,550 vendvotime.
Prej tyre, 911 qendra me 2,498 vendvotime do të shërbejnë për votimin e rregullt, ndërsa 38 qendra votimi – nga një në secilën komunë – me gjithsej 52 vendvotime do të jenë të dedikuara për votimin me kusht.
Sa i përket votimit jashtë Kosovës, përveç votimit me postë, procesi do të zhvillohet në 30 përfaqësi diplomatike, përkatësisht në 17 ambasada dhe 13 konsullata, me gjithsej 47 vendvotime.
Sipas KQZ-së, votimi fizik në përfaqësitë diplomatike është zhvilluar më 6 qershor 2026, një ditë para procesit zgjedhor në Kosovë.

