Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) do të zhvillojë sot një nga hapat kyç në përgatitjet për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 7 qershorit, me organizimin e tërheqjes së shortit për përcaktimin e renditjes së subjekteve politike në fletëvotim.
Sipas njoftimit zyrtar, procesi i shortit do të nisë në ora 11:00 në Prishtinë, ku partitë politike do të mësojnë numrat me të cilët do të garojnë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
Ky moment konsiderohet i rëndësishëm për subjektet politike, pasi numri rendor në fletëvotim shpesh shihet edhe si element identifikues gjatë fushatës elektorale.
Në zgjedhjet e fundit parlamentare, subjektet kryesore kishin garuar me këta numra: Lëvizja Vetëvendosje me 116, PDK me 130, LDK me 123, AAK me 129 dhe Nisma me 122.
Po gjatë ditës së sotme, duke filluar nga ora 13:30, KQZ do të mbajë edhe mbledhjen e radhës, ku pritet të merren vendime të rëndësishme për procesin zgjedhor.
Në rend dite është certifikimi i kandidatëve të subjekteve politike për zgjedhjet e 7 qershorit, si dhe miratimi i dizajnit dhe përmbajtjes së fletëvotimit për votimin jashtë Kosovës.
Megjithëse shorti për numrat rendorë mbahet sot, fushata zgjedhore nuk nis menjëherë. Sipas vendimit të KQZ-së, fushata zyrtare do të fillojë më 28 maj dhe do të zgjasë deri në orën 06:59 të mëngjesit të 7 qershorit, ditën e votimit.
Kosova po shkon në zgjedhje të parakohshme pasi legjislatura e dhjetë e Kuvendit u shpërnda më 28 prill, pas dështimit për zgjedhjen e presidentit të ri brenda afateve kushtetuese. Si pasojë, ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, shpalli mbajtjen e zgjedhjeve më 7 qershor 2026.

