Të dërguarit e presidentit amerikan Donald Trump, Jared Kushner dhe Steve Witkoff, kanë mbërritur në Moskë, ku gjatë ditës së sotme pritet të takohen me presidentin rus Vladimir Putin. Mbërritja e tyre vjen një ditë pas përfundimit të bisedimeve të paqes në Abu Dhabi, ndërsa sulmet mes Rusisë dhe Ukrainës kanë vazhduar gjatë natës.
Negociatorët amerikanë u pritën në aeroportin Vnukovo të Moskës nga Kirill Dmitriev, i dërguari i Kremlinit. Ky i fundit publikoi edhe një fotografi nga takimi, duke shkruar në rrjetin social X: “Mirëpres Steve dhe Jared në Moskë”.
Takimi me Putinin është paraparë të zhvillohet më vonë gjatë ditës, ndërsa pas largimit nga Moska, Kushner dhe Witkoff planifikojnë të udhëtojnë drejt Irlandës, ku do të takohen me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, në kuadër të takimeve me liderët evropianë.
Ndërkohë, zhvillimet diplomatike nuk kanë ndalur sulmet ushtarake. Rusia dhe Ukraina kanë shkëmbyer goditje ndaj kryeqyteteve të njëra-tjetrës në orët e para të së enjtes.
Sulmet ruse dëmtuan infrastrukturën energjetike të Ukrainës. Sipas guvernatorit të rajonit Khmelnytskyi, Serhii Tiurin, infrastruktura energjetike në distriktin e Shepetivkës u godit nga raketat balistike, duke shkaktuar ndërprerje emergjente të energjisë elektrike.
Gjatë natës, Rusia goditi edhe gjashtë nënstacione elektrike në rajonet Vinnytsia, Kirovohrad, Zhytomyr dhe Cherkasy. Sulmet dëmtuan linjat e energjisë dhe shkaktuan ndërprerje të furnizimit me rrymë. Pas njërit prej sulmeve u raportua edhe shpërthimi i një zjarri në Ukrainën perëndimore.
Nga ana tjetër, pesë dronë ukrainas të drejtuar drejt Moskës u rrëzuan, ndërsa dronë të tjerë u interceptuan në disa rajone të Rusisë.
Koloneli rus vritet nga shpërthimi i automjetit
Një tjetër zhvillim i rëndë u regjistrua në periferi jugore të Shën Petersburgut, ku një kolonel i Forcave të Armatosura ruse mbeti i vrarë nga shpërthimi i automjetit të tij në zonën e Shusharyt.
Një familjar që ndodhej në automjet me të ka mbijetuar. Sipas raportimeve fillestare, dyshohet se lënda shpërthyese ishte aktivizuar në distancë.
Deri më tani nuk janë bërë publike identiteti i plotë i kolonelit dhe as të dhëna për autorët e mundshëm të atentatit.
Ndërkohë, Ukraina pritet të përfitojë edhe paketën e 13-të të ndihmës nga Italia. Ministri italian i Ekonomisë dhe Financave, Giancarlo Giorgetti, ka nënshkruar dekretin ndërministror për këtë mbështetje.
Takimi i sotëm në Moskë shihet në kontekstin e përpjekjeve diplomatike për t’i dhënë fund luftës, por vazhdimi i sulmeve ushtarake tregon se negociatat po zhvillohen paralelisht me përshkallëzimin e situatës në terren.

