Kuvendi i Kosovës pritet të vazhdojë sot, në orën 11:00, seancën plenare të ndërprerë një ditë më parë, ku në rend dite është edhe votimi për rishqyrtimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara. Para votimit të mundshëm, Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe ambasadat e Gjermanisë e Italisë kanë ngritur shqetësime për ndryshimet e propozuara ligjore.
Seanca e së enjtes ishte ndërprerë dhe shtyrë për sot, pasi deputetët nuk u kthyen në sallë pas pauzës. Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, kishte deklaruar se nuk mund të priste pa afat për vazhdimin e punimeve.
BE-ja: Ndryshimet ngrenë shqetësime për sundimin e ligjit
Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ka paralajmëruar se ndryshimet e propozuara në Ligjin për Dhomat e Specializuara ngrenë shqetësime serioze lidhur me obligimet ndërkombëtare të Kosovës dhe respektimin e parimeve të sundimit të ligjit.
Në reagimin e publikuar në Facebook, BE-ja ka përmendur në veçanti pavarësinë e gjyqësorit, mbrojtjen e viktimave dhe dëshmitarëve, vazhdimësinë e të drejtave procedurale dhe llogaridhënien efektive.
Sipas BE-së, shqetësime ekzistojnë edhe sa i përket kushtetutshmërisë së ndryshimeve të propozuara.
Bashkimi Evropian ka bërë të ditur se, që nga kthimi i ligjit në Kuvend për rishqyrtim, është angazhuar me autoritetet e Kosovës për t’ua përcjellë shqetësimet dhe pritshmëritë e tij. Kjo përfshin edhe nevojën për konsultime paraprake para çdo miratimi, në përputhje me obligimet ndërkombëtare të Kosovës.
Gjermania dhe Italia mbështesin shqetësimet e BE-së
Ambasada Gjermane në Kosovë ka deklaruar se pajtohet plotësisht me shqetësimet e Zyrës së BE-së lidhur me votimin e mundshëm të ndryshimeve ligjore.
Edhe Ambasada e Italisë ka shprehur qëndrimin e saj kundër procedimit pa konsultime paraprake. Në reagimin e saj, ajo ka theksuar se ndryshimet ngrenë shqetësime për zotimet ndërkombëtare të Kosovës, pavarësinë e gjyqësorit, mbrojtjen e viktimave dhe dëshmitarëve, të drejtat procedurale dhe kushtetutshmërinë.
Ambasada italiane ka shprehur keqardhje që konsultimet e kërkuara ende nuk janë zhvilluar.
“Ligji aktual nuk do t’u shërbejë as interesave të Kosovës dhe as interesave të individëve që së fundmi janë dënuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës”, thuhet në reagimin e saj.
Çitaku zotohet për ndryshime brenda dy javësh
Ligji për Specialen është futur në rendin e ditës me kërkesë të Grupit Parlamentar të PDK-së.
Ushtruesja e detyrës së kryetares së kësaj partie, Vlora Çitaku, u ka kërkuar deputetëve të mbështesin rrëzimin e vetos së presidentes Justina Shiroka-Pula për ligjin.
Çitaku ka deklaruar se PDK-ja do të nisë një procedurë të re ligjore të hënën dhe do t’i përfundojë ndryshimet brenda dy javësh.
“Kërkoj që ta miratohet ligji sot dhe menjëherë të hënën të fillojmë procedurën e amendamentimit. Këtij procesi për të treguar seriozitet t’i japim dy javë kohë. Zotohem publikisht që të hënën do të sjellim nismën e re ligjore dhe brenda dy javësh do të bëjmë ndryshimet e Ligjit në fjalë”, ka deklaruar Çitaku.
Paralajmërimi i komisioneres për Zgjerim
Çështja është ngritur edhe në raportin e fundit të progresit të Kosovës. Komisionerja e BE-së për Zgjerim, Marta Kos, gjatë prezantimit të raportit kishte deklaruar se ndryshimet ligjore për Gjykatën Speciale paraqesin pengesa në procesin e integrimit evropian të Kosovës.
Ajo kishte theksuar se pret që Kosova t’i përmbushë obligimet e saj dhe kishte bërë të ditur se BE-ja është në bisedime me Qeverinë e Kosovës për këtë çështje.
Në seancën e sotme pritet të shqyrtohen edhe pikat e tjera të mbetura nga rendi i ditës i së enjtes.

