Deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) e kanë lëshuar sallën gjatë vazhdimit të seancës konstituive të Kuvendit, pasi kanë kërkuar që fillimisht të votohet kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për nënkryetar të Kuvendit.
Deputetja e LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu, ka thënë se është e padrejtë që të hidhet në votim kandidati i partisë së tretë parlamentare pa u zgjidhur fillimisht kandidati i partisë së dytë.
“Bëjmë thirrje që të shterohen të gjitha mundësitë për diskutim me PDK-në. Nuk kemi të drejtë ta vazhdojmë seancën përderisa nënkryetari i partisë së dytë nuk është zgjedhur. Duhet të respektohet procedura. Kalimi te grupi i tretë nuk kemi të drejtë. Nuk marrim pjesë në votim dhe as nuk ju rekomandojmë ta hidhni në votim”, ka deklaruar Lushaku-Sadriu.
Ajo ka shtuar se, sipas saj, partia e parë parlamentare nuk i ka shteruar të gjitha mundësitë për diskutim.
Ndërkohë, kryeparlamentarja Albulena Haxhiu ka këmbëngulur që seanca të vazhdojë me propozimin e LDK-së, duke vlerësuar se me mospjesëmarrjen e saj, PDK-ja po heq dorë nga e drejta kushtetuese për propozimin e nënkryetarit të Kuvendit.
Në seancën e mëhershme të së njëjtës ditë, PDK-ja e kishte lëshuar sallën pasi deputetët e Vetëvendosjes nuk e votuan Vlora Çitakun për nënkryetare të Kuvendit, ndonëse PDK-ja kishte votuar për kandidatin e VV-së, Ardian Gola.
Seanca konstituive po vazhdon në një situatë të tensionuar politike, ndërsa partitë parlamentare nuk kanë arritur ende marrëveshje për përfundimin e procesit të zgjedhjes së nënkryetarëve të Kuvendit.

