Qeveria e Maqedonise Veriore nuk ka marrë ende një vendim për ndryshimin e sistemit të pensioneve, përfshirë edhe mundësinë e rritjes së moshës së daljes në pension. Autoritetet kanë bërë të ditur se çdo reformë do të bazohet në analizat që po përgatiten nga Fondi Monetare Nderkombetare dhe Banka Boterore.
Ministrja e Financave e Maqedonisë së Veriut, Gordana Dimitrieska-Kochoska, deklaroi se ende nuk është marrë asnjë vendim dhe se fillimisht do të shqyrtohen rekomandimet e institucioneve financiare ndërkombëtare.
Sipas saj, analizat do të përfshijnë disa skenarë për reformimin e sistemit pensional, ndër të cilët edhe rritjen graduale të moshës së pensionimit, si përgjigje ndaj plakjes së popullsisë dhe ndryshimeve demografike me të cilat përballet Maqedonia e Veriut dhe vendet e tjera evropiane.
Megjithatë, ministrja theksoi se nuk duhet të ketë një zgjidhje të njëjtë për të gjithë qytetarët. Ajo vlerësoi se personat që punojnë në profesione më pak të rënda mund të vazhdojnë të punojnë deri në moshën 70, 71 apo edhe 72 vjeç, ndërsa për punonjësit në profesione të rënda do të ruheshin kushtet aktuale të pensionimit.
Analizat do të shqyrtojnë edhe gjendjen financiare të Fondit të Sigurimit të Pensioneve dhe Invaliditetit në Maqedoninë e Veriut, i cili sipas raporteve të auditimit po përballet me një deficit në rritje dhe detyrime shtesë financiare, përfshirë transferimin e mjeteve në shtyllën e dytë të pensioneve.
Në të njëjtën kohë, vendi po përballet edhe me rritjen e borxhit publik, ndërsa Qeveria ka paralajmëruar huamarrje të reja në tregjet financiare ndërkombëtare deri në fund të vitit.
Pavarësisht debatit publik për rritjen e mundshme të moshës së pensionimit, Qeveria e Maqedonisë së Veriut thekson se ende nuk ka një vendim përfundimtar dhe se çdo ndryshim do të shqyrtohet vetëm pasi të publikohen analizat dhe rekomandimet e ekspertëve.

