Qarkullimi i automjeteve në segmentin rrugor Brezovicë–Prevallë (Fushë e Pajtimit–Prevallë) do të jetë i ndërprerë gjatë ditës së sotme, nga ora 08:00 deri në 18:00, për shkak të punimeve të asfaltimit që po zhvillohen në kuadër të projektit të mirëmbajtjes së rrugëve nacionale dhe rajonale.
Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit ka bërë të ditur se gjatë kësaj periudhe do të asfaltohet një segment rrugor me gjatësi prej rreth 1.05 kilometra.
Sipas ministrisë, mbyllja e përkohshme e këtij segmenti është e domosdoshme për të mundësuar zhvillimin e punimeve në kushte të sigurta, për mbrojtjen e pjesëmarrësve në komunikacion dhe të punëtorëve në terren, si dhe për të garantuar cilësinë e punimeve.
Autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve dhe të gjithë pjesëmarrësve në trafik që të planifikojnë lëvizjet e tyre me kohë, të shfrytëzojnë rrugët alternative dhe të respektojnë sinjalizimin e përkohshëm, si dhe udhëzimet e zyrtarëve të angazhuar në terren.
Ministria falënderoi qytetarët për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin gjatë realizimit të punimeve.

