Parlamenti Evropian ka miratuar me shumicë të qartë raportin për Kosovë, duke riafirmuar mbështetjen e fuqishme për rrugën evropiane të vendit dhe duke përsëritur thirrjen që pesë shtetet mosnjohëse të Bashkimit Evropian ta njohin pavarësinë e Kosovës pa vonesa.
Sipas raportuesit për Kosovën, Riho Terras, raporti u miratua me 412 vota pro, 174 kundër dhe 58 abstenime. Në reagimin e tij, Terras theksoi se vazhdimi i reformave dhe progresi në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja mbeten vendimtarë për avancimin e Kosovës drejt anëtarësimit.
Raporti vlerëson se viti 2025 ka qenë kryesisht i humbur për Kosovën për shkak të ngërçit politik, ndërsa paralajmëron se edhe muajt në vijim mund të sjellin vonesa të reja pas zgjedhjeve të 7 qershorit dhe dështimit për zgjedhjen e presidentit. Eurodeputetët shprehin shqetësim se kjo situatë mund ta penalizojë vendin financiarisht, pasi Kosova rrezikon të humbë mjete të rëndësishme nga Plani i Rritjes i BE-së nëse nuk përmbush kriteret brenda afateve.
Në raport përshëndetet fakti që zgjedhjet e vitit 2025 u zhvilluan në mënyrë të rregullt dhe demokratike, si dhe formimi i institucioneve, por kritikohet mungesa e kompromisit politik për çështjet kyçe shtetërore.
Dokumenti rithekson mbështetjen për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE, të dorëzuar në dhjetor 2022, dhe i bën thirrje Këshillit Evropian të veprojë pa vonesa për dërgimin e pyetësorit dhe dhënien e statusit të kandidatit sapo të përmbushen kriteret.
Një mesazh i veçantë u adresua edhe pesë vendeve mosnjohëse të BE-së, me kërkesën që të njohin pavarësinë e Kosovës për të mundësuar trajtim të barabartë me vendet e tjera kandidate. Në raport rikujtohet gjithashtu vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë i 22 korrikut 2010, sipas të cilit shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk ka shkelur të drejtën ndërkombëtare.
Po ashtu, eurodeputetët kanë mirëpritur deklaratën për bashkëpunim në mbrojtje mes Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë, duke e cilësuar si një hap të rëndësishëm për përballimin e kërcënimeve hibride dhe forcimin e sigurisë në rajon.

