Kryetari i Prishtinës, Perparim Rama, ka akuzuar Qeverinë e Kosovës dhe Lëvizjen Vetëvendosje për bllokimin e projekteve infrastrukturore në kryeqytet, duke kërkuar sqarime publike se kush, sipas tij, ka urdhëruar ndërprerjen e punimeve.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama ka ngritur pyetje lidhur me ndalimin e punimeve në projektin “Ishulli Urban”, i cili, sipas tij, lidh rreth 30 mijë banorë të lagjes Arbëria me qendrën e Prishtinës.
“Kush ju dha urdhër me blloku Prishtinën? Kush po don me e pa Kosovën si ‘Kandahar’?”, ka shkruar Rama, duke iu drejtuar Vetëvendosjes.
Sipas kryetarit të Prishtinës, përveç sheshit “Xhorxh Bush”, është bllokuar edhe projekti “Ishulli Urban”.
Rama ka paraqitur edhe një kronologji të zhvillimeve, duke pretenduar se punimet janë ndaluar më 20 maj 2026, ndërsa më 5 qershor 2026 është miratuar akti ligjor përkatës.
“Na tregoni qytetarëve të Prishtinës, mbi çfarë baze i ndalët punimet? Me urdhër të kujt i vendosët shiritat? Kujt po i shërben kjo bllokadë? Kujt po i pengon zhvillimi i Kryeqytetit?”, ka deklaruar Rama.
Ai ka kërkuar nga institucionet dhe Vetëvendosje që t’u japin qytetarëve shpjegime për arsyet e ndërprerjes së punimeve dhe përgjegjësinë institucionale për vendimin.
Në fund të reagimit, Rama ka thënë se Komuna e Prishtinës do të vazhdojë me projektet zhvillimore.
“Ne do të vazhdojmë me ndërtu. Për juve ka me tregu historia pse po e bllokoni zhvillimin e Kryeqytetit!”, ka përfunduar ai.
Deklaratat e Ramës vijnë në një kohë kur projektet infrastrukturore në Prishtinë janë bërë pjesë e debatit të përplasjes politike ndërmjet institucioneve lokale dhe atyre qendrore.



