Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar lidhur me vonesat në realizimin e projektit për ndërtimin e sheshit “Xhorxh Bush”, duke akuzuar kundërshtarët për bllokada dhe pengesa që, sipas tij, kanë dëmtuar drejtpërdrejt qytetarët e kryeqytetit.
Përmes një deklarate publike, Rama tha se zvarritjet e panevojshme vetëm sa kanë shtyrë përpara përfundimin e një projekti që, sipas tij, është në shërbim të qytetarëve.
“Bllokadat dhe pengesat e panevojshme veç sa i kanë penalizu qytetarët e Prishtinës, duke e vonu ndërtimin e sheshit ‘Xhorxh Bush’”, deklaroi ai.
Kreu i kryeqytetit theksoi se hapësirat publike u përkasin qytetarëve dhe se komuna nuk do të tërhiqet nga projektet transformuese.
“Sheshet janë të qytetarëve dhe për qytetarët! Do të vazhdojmë me vendosmëri deri në përfundimin e çdo projekti transformues n’Kryeqytet”, u shpreh Rama.
Ai nuk la pa thumbuar edhe kundërshtarët politikë, duke thënë se qeverisja duhet të fokusohet te puna konkrete dhe jo te pengesat politike.
“Qeverisja është me punu, e jo për me blloku e me shit propagandë”, përfundoi kryetari i Prishtinës.

