Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK) ka formuar një komision ad-hoc për hetimin administrativ të një rasti të raportuar në Klinikën e Pediatrisë, pas shqetësimeve të ngritura publikisht nga një familje lidhur me trajtimin e fëmijës së tyre.
Sipas njoftimit të QKUK-së, drejtori i institucionit ka marrë vendim për krijimin e komisionit, i cili do të shqyrtojë në mënyrë të detajuar të gjitha rrethanat e rastit.
Hetimi administrativ do të përfshijë verifikimin e pretendimeve lidhur me trajtimin e pacientit, komunikimin dhe sjelljen e stafit shëndetësor, si dhe çdo mangësi eventuale, përfshirë çështjet menaxheriale dhe teknike.
QKUK ka bërë të ditur se gjatë verifikimeve fillestare janë evidentuar disa parregullsi, përfshirë ato të pasqyruara edhe në fotografitë e publikuara. Për këto raste janë dhënë vërejtje ndaj personave përgjegjës në zinxhirin menaxherial, ndërsa një punëtor i shërbimeve teknike është suspenduar përkohësisht.
Gjithashtu, për të garantuar një proces të paanshëm të hetimit lidhur me pretendimet për trajtimin e pacientit dhe sjelljen e stafit, janë ndërmarrë masa të përkohshme administrative ndaj katër infermierëve.
QKUK ka njoftuar se pas përfundimit të hetimit administrativ, do t’i bëjë publike gjetjet e komisionit dhe masat që do të ndërmerren, me qëllim të rritjes së përgjegjësisë institucionale dhe ruajtjes së besimit të qytetarëve në institucionet publike shëndetësore.

