Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar pas protestës së zhvilluar në Tiranë kundër projektit turistik të planifikuar në Zvërnec, ku qytetarë dhe aktivistë kërkuan anulimin e investimit.
Përmes një reagimi publik, Rama deklaroi se aktualisht nuk ekziston një projekt i përfunduar që mund të anulohet, duke theksuar se opinioni publik po manipulohet me pretendime se ndërtimi është miratuar dhe se po rrezikon zonën e mbrojtur natyrore.
Sipas tij, projekti arkitektonik ndodhet ende në fazën e hartimit dhe po punohet nga pesë studio ndërkombëtare të njohura të arkitekturës, ndërsa paralelisht po zhvillohen studimet mjedisore që do të përcaktojnë nëse investimi do të marrë dritën e gjelbër.
“Të anulloj projektin? Dakord jam, ma sillni projektin dhe e anulojmë. Por nuk ka projekt për të anuluar, sepse ai ende po punohet nga pesë studio ndër më prestigjiozet në botë”, shkroi Rama.
Ai përmendi studiot e njohura ndërkombëtare të arkitekturës si Kengo Kuma nga Japonia, Bjarke Ingels nga Danimarka, Jean Nouvel nga Franca, Emre Arolat nga Turqia dhe K-Studio nga Greqia, duke shtuar se projekti do të prezantohet publikisht sapo të përfundojë.
Rama: Po përhapen informacione të rreme për investitorët
Kryeministri kundërshtoi gjithashtu pretendimet që qarkullojnë në rrjetet sociale se projekti lidhet me interesa izraelite ose me plane për vendosjen e palestinezëve në zonë.
Ai deklaroi se investimi po mbështetet nga partnerë amerikanë dhe investitorë nga Katari, të cilët, sipas tij, janë bashkëpronarë të grupit ndërkombëtar Power Holding.
“Ata duhet ta dinë të vërtetën, se bashkëinvestitorët e kësaj sipërmarrjeje janë miq amerikanë të Shqipërisë dhe investitorë nga Katari. Pretendimet për një ‘pushtim izraelit të Zvërnecit’ janë manipulime dhe gënjeshtra”, u shpreh Rama.
Investim prej 4 miliardë eurosh
Sipas kreut të qeverisë shqiptare, projekti parashikon një investim prej rreth 4 miliardë eurosh dhe konsiderohet një nga sipërmarrjet më të mëdha turistike të planifikuara në rajonin e Mesdheut.
Rama akuzoi kundërshtarët e projektit për dezinformim dhe tentativë për të penguar investimet strategjike në Shqipëri.
“Disa duan ta paraqesin Shqipërinë si një vend jo mikpritës për investimet e mëdha. E vërteta mund të vonojë, por nuk harron, ndërsa gënjeshtrat kanë nisur të zbulohen”, deklaroi ai.
Debati për projektin në Zvërnec ka nxitur reagime të shumta në opinionin publik, ku një pjesë e qytetarëve dhe organizatave mjedisore shprehin shqetësime për ndikimin e mundshëm në ekosistemin e zonës, ndërsa qeveria këmbëngul se çdo vendimmarrje do të mbështetet në studime profesionale dhe standarde ndërkombëtare të mbrojtjes së mjedisit.

