Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit ka publikuar çmimet e reja tavan të derivateve të naftës, të cilat kanë shënuar rritje krahasuar me një ditë më parë.
Sipas vendimit të ri, çmimi maksimal i naftës është rritur në 1.63 euro për litër, nga 1.60 euro sa ishte të premten. Krahasuar me fillimin e javës, rritja është edhe më e theksuar, pasi të hënën një litër naftë tregtohej me 1.56 euro.
Rritje ka pësuar edhe benzina, e cila është shtrenjtuar për 2 centë, duke arritur në 1.45 euro për litër.
Ndërkohë, çmimi i gazit (LPG) ka mbetur i pandryshuar, me 0.60 euro për litër.
Çmimet tavan për 18 korrik 2026
- Naftë: 1.63 €/litër
- Benzinë: 1.45 €/litër
- Gaz (LPG): 0.60 €/litër
Rritja e çmimeve të derivateve vjen në një kohë të tensioneve të shtuara në Lindjen e Mesme. Pas prishjes së armëpushimit mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, SHBA-ja ka njoftuar rikthimin e bllokadës për anijet që hyjnë ose dalin nga portet iraniane, zhvillim që ka ndikuar në pasigurinë e tregjeve ndërkombëtare të energjisë dhe në luhatjet e çmimit të naftës.

