Rusia ka ndërmarrë një valë të re sulmesh me raketa ndaj Kievit, duke lënë të paktën 9 persona të vrarë dhe 46 të plagosur, mes tyre pesë fëmijë, vetëm pak ditë para nisjes së samitit të NATO-s në Turqi.
Ekipet e shpëtimit vijojnë kërkimet për persona të bllokuar nën rrënojat e ndërtesave të banimit të goditura nga raketat ruse.
Administratori ushtarak i Kievit, Timur Tkachenko, bëri të ditur se sulmet shkaktuan dëme të mëdha në disa lagje të kryeqytetit, ndërsa kryebashkiaku Vitali Klitschko konfirmoi se raketat goditën komplekse banimi, magazina dhe punishte, duke shkaktuar zjarre të shumta.
Sulmet ndodhën në prag të samitit të NATO-s në Ankara, ku presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky pritet të zhvillojë takime me liderët e aleancës, përfshirë edhe presidentin amerikan Donald Trump.
Vetëm disa orë para bombardimeve, Zelensky paralajmëroi se inteligjenca ukrainase kishte zbuluar përgatitjet e Rusisë për një tjetër sulm masiv ndaj Kievit. Ai u bëri thirrje aleatëve të përshpejtojnë dërgimin e sistemeve të mbrojtjes ajrore dhe raketave me rreze të gjatë veprimi.
“Çdo vonesë në furnizimin me raketa për mbrojtjen tonë ajrore do të thotë humbje jetësh dhe e inkurajon Rusinë të vazhdojë luftën”, shkroi Zelensky në rrjetin social X.
Nga ana tjetër, autoritetet ukrainase akuzojnë Moskën se ka shënjestruar qëllimisht zonat civile. Rusia, ndërkaq, pretendon se objektivat e sulmeve ishin baza ushtarake dhe infrastruktura energjetike, si kundërpërgjigje ndaj sulmeve ukrainase në territorin rus.
Luftimet vazhduan edhe gjatë natës, ndërsa në Sevastopol, në Krimenë e pushtuar nga Rusia, u raportuan ndërprerje të përkohshme të energjisë elektrike pas sulmeve me dronë. Samiti i NATO-s pritet të dominohet nga diskutimet për mbështetjen ushtarake ndaj Ukrainës dhe forcimin e mbrojtjes së krahut lindor të aleancës.

