Shqipëria ka marrë dritën jeshile nga vendet anëtare të Bashkimit Evropian për mbylljen e përkohshme të negociatave për Kapitullin 20, që lidhet me ndërmarrjet dhe politikën industriale. Hapi pritet të formalizohet më 13 tetor, gjatë Konferencës Ndërqeveritare Shqipëri–BE, e cila do të mbahet në Luksemburg.
Sipas Agjencisë për Media dhe Informim, Komiteti i Përfaqësuesve të Përhershëm të Shteteve Anëtare të BE-së (COREPER) ka miratuar zhvillimin e konferencës, ku pritet të zyrtarizohet përparimi i radhës në procesin e integrimit evropian të Shqipërisë.
Kryeministri Edi Rama e ka përshëndetur vendimin përmes një postimi në rrjetet sociale, duke e cilësuar atë si një hap tjetër drejt objektivit historik të anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
“Shqipëria mbyll Kapitullin e Katërt, nis numërimi mbrapsht i kohës drejt objektivit historik. Drita jeshile nga BE-ja për mbylljen e negociatave të Kapitullit 20 forcon perspektivën për investime, inovacion, konkurrueshmëri dhe punësim”, ka shkruar Rama.
Çfarë përfshin Kapitulli 20?
Kapitulli 20, “Ndërmarrjet dhe Politika Industriale”, përfshin politikat që synojnë zhvillimin e sipërmarrjes, rritjen e konkurrueshmërisë dhe krijimin e një mjedisi më të favorshëm për investime.
Në fokus janë mbështetja e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, përmirësimi i klimës së biznesit, zhvillimi i inovacionit dhe forcimi i kapaciteteve të ekonomisë shqiptare për t’u integruar në Tregun e Vetëm Evropian.
Kapitulli përfshin gjithashtu politika për digjitalizimin, tranzicionin e gjelbër, zhvillimin e aftësive sipërmarrëse dhe rritjen e produktivitetit të sektorit privat.
Me formalizimin e pritshëm më 13 tetor, Kapitulli 20 do të bëhet kapitulli i katërt që Shqipëria mbyll përkohësisht brenda tre muajve, pas Kapitullit 25 për Shkencën dhe Kërkimin, Kapitullit 26 për Arsimin dhe Kulturën dhe Kapitullit 30 për Marrëdhëniet me Jashtë.
Mbyllja e përkohshme e një kapitulli shënon përparim në negociata, por nuk nënkupton përfundimin e procesit të anëtarësimit. Shqipëria duhet të përmbushë edhe kriteret dhe detyrimet e tjera të përcaktuara në negociatat me Bashkimin Evropian.

