Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit ka njoftuar se gjatë ditës së shtunë do të vendosen kufizime të përkohshme në qarkullimin e automjeteve për transportin e mallrave me masë totale mbi 20 tonë në autoudhët e Kosovës, për shkak të temperaturave të larta.
Sipas njoftimit, vendimi hyn në fuqi pasi temperaturat gjatë ditës pritet të arrijnë ose të tejkalojnë 32 gradë Celsius.
Kufizimi do të zbatohet në intervalin kohor nga ora 11:00 deri në 17:30, periudhë gjatë së cilës automjetet e transportit të mallrave me masë mbi 20 tonë nuk do të lejohen të qarkullojnë në autoudhë.
Ministria ka bërë të ditur se në rrugët nacionale, rajonale dhe lidhëse nuk do të ketë kufizime, pasi nuk janë plotësuar kushtet e përcaktuara me vendim për zbatimin e masave në këto kategori rrugësh.
Autoritetet u kanë bërë thirrje operatorëve të transportit që të planifikojnë lëvizjen e automjeteve në përputhje me kufizimet e vendosura, me qëllim të respektimit të vendimit dhe shmangies së pengesave në komunikacion.
