Erion Veliaj ka propozuar që Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi të shpallen “Qytetarë Nderi” të Tiranës, në shenjë mirënjohjeje dhe vlerësimi për kontributin e tyre, sipas tij, në rrugëtimin e Kosovës drejt lirisë dhe shtetësisë.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka propozuar që ish-drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, të shpallen “Qytetarë Nderi” të Tiranës.
Propozimi vjen pas vendimit të Gjykatës Speciale në Hagë, e cila më 16 shtator i shpalli fajtorë të katër të akuzuarit për krime lufte dhe i dënoi me gjithsej 81 vjet burg: Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi me nga 25 vjet, Kadri Veseli me 18 vjet dhe Rexhep Selimi me 13 vjet. Vendimi është i shkallës së parë dhe mund të apelohet.
Në një mesazh nga paraburgimi, Veliaj tha se vendimi i Hagës e ka “tronditur thellë”, por theksoi se procesi juridik duhet të ndjekë rrugën e tij.
“Sigurisht procesi juridik ka rrugën e vet dhe drejtësia duhet të ndjekë deri në fund procedurat dhe standardet e saj. Por ne shqiptarët kemi edhe përgjegjësinë për të kujtuar”, tha Veliaj.
Sipas tij, liria e Kosovës erdhi pas dekadash represioni, dhimbjeje dhe rezistence, si dhe pas dëbimeve, humbjeve të jetëve dhe sakrificave të shumta.
Veliaj tha se në këtë histori, sipas tij, UÇK-ja dhe katër ish-drejtuesit e saj kanë vendin e tyre.
“Tirana nuk mund t’ua japë lirinë, por duhet t’i nderojë”
Veliaj njoftoi se, në cilësinë e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, do t’i propozojë Këshillit Bashkiak që Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi të shpallen “Qytetarë Nderi” të kryeqytetit shqiptar.
“Sigurisht jo për ta zëvendësuar drejtësinë me politikën. Jo për t’i treguar një gjykate se çfarë duhet të vendosë. Por për të ushtruar të drejtën e qytetit tonë për të shprehur mirënjohjen dhe vlerësimin e vet për kontributin e tyre historik në rrugëtimin e Kosovës drejt lirisë dhe shtetësisë”, deklaroi ai.
Më tej, Veliaj tha:
“Tirana fatkeqësisht nuk mund t’ua japë dot lirinë. Por Tirana duhet t’i nderojë ata.”
Ai u bëri thirrje edhe kryetarëve dhe këshillave bashkiakë të qyteteve të tjera shqiptare që të ndërmarrin nisma të ngjashme.
Sipas Veliajt, katër ish-drejtuesit e UÇK-së nuk janë vetëm pjesë e historisë së një qyteti, por, sipas tij, të historisë së Kosovës dhe “përmes saj, e historisë sonë shqiptare”.
Veliaj flet edhe për situatën e tij
Në mesazhin e tij, Veliaj foli edhe për situatën personale, duke kujtuar se ndodhet prej 19 muajsh në izolim dhe se nuk ka pasur mundësi të ushtrojë mandatin që, sipas tij, ia kanë besuar qytetarët e Tiranës.
Ai bëri një paralelizëm mes privimit të tij nga liria dhe përvojës së Kosovës.
“Unë mund të jem sot pas një dere të mbyllur, por pikërisht këtu kam kuptuar edhe më mirë diçka shumë të thjeshtë: liria është një nga ato fjalë, peshën e plotë të së cilës e kupton edhe më fort kur të mungon”, tha Veliaj.
Ai shtoi se historia e Kosovës, sipas tij, tregon se liria duhet të ruhet, mbrohet, kujtohet dhe nderohet.
Mesazhi i plotë i Erion Veliajt
“Të nderuar qytetarë të Republikës së Shqipërisë,
të dashur qytetarë të Tiranës,
të dashur shqiptarë kudo që jeni,Po bëj 19 muaj në izolim. Nëntëmbëdhjetë muaj pa mundësinë reale për të ushtruar mandatin kushtetues që më kanë besuar qytetarët e Tiranës me një rekord historik votash.
Vetëm pak ditë më parë u mor një tjetër vendim gjyqësor që ishte një grusht institucional ndaj demokracisë vendore. Natyrshëm, mund të prisnit që sot t’ju flisja për këtë.
Por ka momente në jetën e një njeriu kur drama e tij personale bëhet e vogël përpara një çështjeje kombëtare.
Vendimi i dhënë në Hagë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit më ka tronditur thellë. Sigurisht, procesi juridik ka rrugën e vet dhe drejtësia duhet të ndjekë deri në fund procedurat dhe standardet e saj. Por ne shqiptarët kemi edhe përgjegjësinë për të kujtuar.
Për të kujtuar se si liria e Kosovës erdhi pas dekadash represioni, dhimbjeje dhe rezistence, pas familjesh të dëbuara nga shtëpitë e tyre, jetësh të humbura dhe sakrificash të jashtëzakonshme, pas vendimit të një populli për të mos pranuar më që fati i tij të përcaktohej nga të tjerët. Në atë histori, Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka vendin e saj të lavdishëm, sikurse ushtarët e saj Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.
Ata janë katër burra që historia i vendosi në një prej kapitujve më të vështirë dhe më vendimtarë të Kosovës. Kam jetuar dhe punuar në Kosovë, e njoh nga afër Hashimin…
Ndaj sot dua që Tirana të flasë. Tirana nuk është vetëm kryeqyteti i Republikës së Shqipërisë, por kryeqendra e shqiptarisë. Për këtë arsye, në cilësinë e Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, do t’i propozoj Këshillit Bashkiak që Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi të shpallen Qytetarë Nderi të Tiranës.
Sigurisht, jo për ta zëvendësuar drejtësinë me politikën. Jo për t’i treguar një gjykate se çfarë duhet të vendosë. Por për të ushtruar të drejtën e qytetit tonë për të shprehur mirënjohjen dhe vlerësimin e vet për kontributin e tyre historik në rrugëtimin e Kosovës drejt lirisë dhe shtetësisë.
Tirana fatkeqësisht nuk mund t’ua japë dot lirinë. Por Tirana duhet t’i nderojë ata.
E nga Tirana dua t’u drejtohem edhe kryetarëve dhe këshillave bashkiakë të qyteteve të tjera shqiptare, të nderojnë si Tirana. Pasi këta katër burra nuk janë pjesë vetëm e historisë së një qyteti. Ata janë pjesë e historisë së Kosovës dhe përmes saj, e historisë sonë shqiptare. Le t’u tregojmë familjeve të tyre se nuk janë vetëm. Le t’u tregojmë shqiptarëve të Kosovës se Shqipëria nuk e harron Kosovën. Le t’u tregojmë brezave që vijnë se një shoqëri mund të respektojë drejtësinë dhe njëkohësisht të ruajë kujtesën e vet historike.
Prandaj sot, nga vendi ku ndodhem, dua t’u them Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit: Procesi juaj juridik do të vazhdojë. Drejtësia do të ndjekë rrugën e saj. Por edhe kujtesa jonë do të ndjekë të vetën. Nuk do ta harrojmë Kosovën e represionit dhe të dëbimeve. Nuk do t’i harrojmë ata që humbën jetën. Nuk do t’i harrojmë familjet që sakrifikuan gjithçka dhe nuk do ta harrojmë kontributin e atyre që morën përgjegjësi në luftë dhe më pas në ndërtimin e shtetit të Kosovës.
Unë mund të jem sot pas një dere të mbyllur, por pikërisht këtu kam kuptuar edhe më mirë diçka shumë të thjeshtë: liria është një nga ato fjalë, peshën e plotë të së cilës e kupton edhe më fort kur të mungon. Ndoshta prandaj sot e ndiej Kosovën edhe më afër. Sepse historia e saj na kujton se liria nuk bëhet e përjetshme vetëm sepse është fituar një herë. Ajo ruhet. Mbrohet. Kujtohet. Nderohet.
Për ata që nuk arritën ta shihnin ditën e saj. Për familjet që paguan çmimin e saj. Për të gjithë ata që luftuan dhe punuan për të. Për Kosovën. Për lirinë. Për kujtesën tonë kombëtare. Ata duhet dhe do të jenë nderi i kryeqytetit tonë, Tiranës.”

