Janina Ymeri, ka bërë të ditur se aktualisht tre njësi prodhuese të Korporatës Energjetike të Kosovës janë jashtë funksionit, duke e detyruar vendin të mbështetet në importe të konsiderueshme të energjisë elektrike.
Sipas saj, jashtë operimit ndodhen Blloku B1, Blloku A3 dhe Blloku A5, ndërsa në punë janë vetëm Blloku A4 dhe Blloku B2.
“Blloku A4 me Bllokun B2 funksionojnë dhe me kaq ne sot shkojmë deri mbi 300 MW në orë import”, ka deklaruar Ymeri.
Ajo theksoi se është e vështirë të llogaritet kostoja reale e energjisë së importuar, pasi Kosova e siguron atë përmes kontratave të drejtpërdrejta me kompani të caktuara, pa pasur gjithmonë transparencë të plotë mbi çmimet.
Ymeri e cilësoi situatën aktuale si një “bixhoz elektroenergjetik”, duke paralajmëruar se varësia e madhe nga importi e ekspozon vendin ndaj luhatjeve të çmimeve në tregjet ndërkombëtare, veçanërisht gjatë periudhave me konsum të lartë ose kur ofertat në bursat rajonale janë të kufizuara.
Sipas saj, funksionimi i vetëm dy blloqeve prodhuese kufizon ndjeshëm kapacitetin vendor të prodhimit dhe rrit nevojën për energji të importuar për të mbuluar kërkesën e konsumatorëve.

