Legjenda e futbollit francez Zinedine Zidane pritet të emërohet trajneri i ri i kombëtares së Francës, duke zëvendësuar Didier Deschamps, raportojnë mediat franceze.
Sipas të përditshmes sportive L’Équipe, Zidane do ta nisë zyrtarisht detyrën më 1 shtator, ndërsa Federata Franceze e Futbollit pritet ta konfirmojë emërimin para fundit të këtij muaji.
Edhe Le Parisien shkruan se ish-trajneri i Real Madridit ka filluar tashmë të formojë stafin e tij teknik, ku pritet të jetë pjesë edhe bashkëpunëtori i tij i kahershëm, David Bettoni.
Ndeshja e parë e Zidane në stolin e “Gjelave” pritet të zhvillohet në transfertë ndaj Turqisë në kuadër të Ligës së Kombeve, ndërsa më pas Franca do të përballet me Italinë në Stade de France më 2 tetor.
Deschamps largohet pas 14 vitesh në krye të kombëtares franceze, periudhë gjatë së cilës drejtoi ekipin në 185 ndeshje. Nën drejtimin e tij, Franca fitoi Kupën e Botës 2018, Ligën e Kombeve 2020-2021, si dhe arriti në finalet e Euro 2016 dhe Botërorit 2022.
Zidane dhe Deschamps ishin bashkëlojtarë në ekipin historik që i solli Francës titullin e parë botëror në vitin 1998.
Si trajner, Zidane ka shkruar historinë me Real Madridin, duke fituar tre trofe radhazi të Ligës së Kampionëve (2016, 2017 dhe 2018), një arritje që mbetet unike në epokën moderne të futbollit.
Nëse emërimi zyrtarizohet, turneu i parë madhor i Zidane si përzgjedhës i Francës do të jetë Euro 2028.

